SHBA – Rinis dërgimi i ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë

UASHINGTON, 12 mars /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë përgjatë kufirit me Poloninë, pas arritjes së një marrëveshjeje mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite, tha sot ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski.
Sikorski e bëri këtë njoftim duke folur për gazetarë përkrah homologut të tij ukrainas, Andriy Sybiha, në Varshavë, pasi ky i fundit u kthye sot nga bisedimet në Xhedah.
”Mund të konfirmoj se dërgimi i armëve përmes Jasionkas është kthyer në nivelin e mëparshëm”, tha Sikorski, duke iu referuar qendrës logjistike në juglindje të Polonisë.
Uashingtoni kishte njoftuar javën e kaluar se po pezullonte furnizimin e Ukrainës me ndihma, pas një përplasjeje publike në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Bashkërisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa i kanë dhënë Ukrainës armatim të rëndë në vlerë prej mbi 35 miliardë dollarësh./ (REL) /os/