SHBA – Trump: Do ta fitojmë betejën tregtare kundër BE-së

BERLIN, 12 mars /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lejojnë veten të nënvlerësohen më në tregti, deklaroi Donald Trump në Zyrën Ovale.
“Unë do të kundërpërgjigjem”, tha presidenti.
Trump tha se ”kam besim se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë betejën tregtare me Bashkimin Evropian”.
”Evropa duhet të thellojë dhe shumëfishojë partneritetet tregtare. Ne kemi nevojë për më shumë marrëveshje tregtare, jo më shumë tarifa. Tarifat janë taksa për kompanitë dhe qytetarët, ato vetëm rrisin inflacionin”, deklaroi ndërkohë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Berlin gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Nëse Shtetet e Bashkuara besojnë se ka një problem të vërtetë, mënyra më e mirë për ta zgjidhur atë është të flasim për të. BE është e hapur”, theksoi ai.
“Tashmë kemi mjaft luftëra në botë. Duhet të ndalojmë ato që janë dhe të mos krijojmë një luftë komerciale. Rritja e tarifave nuk është zgjidhje e mirë: nuk rrit eksportet, nuk i jep shtysë tregtisë, krijon vetëm taksa të reja për konsumatorët dhe vështirësi për kompanitë”, theksoi Kosta.
”Brukseli ka paraqitur një përgjigje proporcionale dhe adekuate ndaj situatës aktuale dhe ajo që na duhet është të flasim, të negociojmë me Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai duke kujtuar se, duke parë shifrat, BE regjistron “një suficit në eksportet e mallrave”, por në të njëjtën kohë “një deficit në importet e shërbimeve”.
Komisioni Evropian ka njoftuar se do të aplikojë tarifa “të forta, por proporcionale” për një sërë produktesh amerikane duke filluar nga 1 prilli, në përgjigje të tarifës prej 25% të SHBA për çelikun dhe aluminin.
Tarifat e vendosura nga BE-ja do të godasin produktet amerikane me vlerë 26 miliardë dollarë.
”Bashkimi Evropian shpreh keqardhje të thellë për masat e vendosura nga presidenti Donald Trump”, theksoi presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në një deklaratë./ /os/