SHBA – Rubio mund të mungojë në takimin e NATO-s gjatë momentit kritik për Ukrainën

UASHINGTON, 28 nëntor /ATSH/ – Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, planifikon të mungojë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel javën e ardhshme, thanë dy zyrtarë amerikanë, sipas Reuters.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, do të përfaqësojë Uashingtonin në vend të tij, tha një nga zyrtarët, i cili kërkoi të mbetet anonim, për të diskutuar çështje që nuk janë bërë ende publike.
Nuk ishte e qartë pse saktësisht Rubio planifikon të mungojë në takimin e 3 dhjetorit, dhe planet e tij mund të ndryshojnë në momentin e fundit.
Por mungesa e tij e mundshme ndodh në një kohë kur zyrtarët amerikanë dhe ukrainas janë duke u përpjekur të mbyllin diferencat mbi planin e presidentit Donald Trump për të ndalur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Zakonisht ka dy takime formale të ministrave të jashtëm të NATO-s çdo vit, dhe është jashtëzakonisht e rrallë që një sekretar amerikan i Shtetit të mungojë.
Në vitin 2017, gjatë mandatit të parë të Trump, atëherë, sekretari i Shtetit Rex Tillerson planifikoi fillimisht të mungonte në një takim ne prill megjithëse mbledhja më pas u riorganizua për të përputhur orarin e tij.
Një zyrtar i NATO-s iu referua Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me pjesëmarrjen e Rubios, por tha se nuk është e pazakontë që disa ministra të mungojnë në ngjarjen.
“Shumë takime të ministrave organizohen nga NATO çdo vit, dhe ndërsa shumica e aleatëve janë të përfaqësuar nga ministrat në shumicën e rasteve, nuk është e pazakontë që rrethanat të pengojnë një ministër të marrë pjesë në të gjithë ose pjesërisht një takim të NATO-s.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kanë qenë të kujdesshëm ndaj detyrimit për të pranuar një marrëveshje që është shumë e favorshme për interesat ruse, shqetësime që janë intensifikuar ndjeshëm pas rrjedhjes së një draft-plani 28-pikësh për përfundimin e luftës në media më 18 nëntor.
RrMungesa e Rubios rrezikon të thellojë pyetjet mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj sigurisë evropiane, i cili ka pësuar goditje në vitet e fundit. /Ad.Ab./