PEKIN – Kina justifikon shpenzimet për mbrojtjen me ruajtjen e paqes botërore

PEKIN, 4 mars /ATSH-DPA/ – Kina, e cila ka një nga ushtritë më të mëdha në botë, tha sot se shpenzimet për mbrojtjen janë të nevojshme për të ruajtur paqen.
”Një Kinë me mbrojtje të fortë kombëtare do të ishte më e aftë të mbronte sovranitetin e saj kombëtar, sigurinë dhe interesat e saj të zhvillimit dhe të ruante paqen dhe stabilitetin botëror”, tha Lou Qinjian, zëdhënës i Kongresit Kombëtar të Popullit (NPC).
Lou tha se ”shpenzimet për mbrojtjen e Kinës janë nën mesataren globale në krahasim me PPB-në e vendit”.
Zyrtari i Partisë Komuniste nuk bëri të ditur ndonjë shifër, por vuri në dukje se buxheti i këtij viti për mbrojtjen do të shpallet gjatë hapjes së NPC.
Ekspertët besojnë se Kina do të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.
Presidenti Xi Jinping ka nxitur një modernizim të plotë të ushtrisë që kur mori detyrën në vitin 2013.
Ushtria kineze organizoi së fundmi një manovër ushtarake të papritur në brigjet e Tajvanit.
Pekini e konsideron ishullin demokratik në Paqësor si pjesë të territorit të tij, por Tajvani ka pasur një qeveri të pavarur që nga viti 1949.
Forcat kineze gjithashtu përplasen rregullisht me Filipinet për pretendimet territoriale në Detin e Kinës Jugore.
Manovrat e fundit ushtarake të forcave kineze me municione luftarake në ujërat ndërkombëtare pranë Australisë kanë shkaktuar shqetësim në rajon./ /i.s/