KAJRO – Samit për rindërtimin e Rripit të Gazës

KAJRO, 4 mars /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit arabë do të takohen sot për të diskutuar planet mbi mundësinë e rindërtimit të Rripit të Gazës.
Me këtë samit në Kajro, qeveria egjiptiane synon të kundërshtojë planet e diskutueshme të presidentit amerikan Donald Trump për të “rivendosur” përgjithmonë palestinezët në vendet arabe.
Përveç përfaqësuesve të lartë nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite dhe Katari, pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se kostoja e rindërtimit të zonës, e cila ndodhet në rrënoja për shkak të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, arrin në 53 miliardë dollarë.
Në diskutimet për të ardhmen e Gazës, mbeten ende shumë pyetje të pazgjidhura, si për shembull se kush do ta kontrollonte dhe siguronte zonën pas përfundimit të luftës.
Për më tepër, armëpushimi midis Izraelit dhe Hamas është në fije të perit dhe luftimet mund të rindizen.
Lufta u shkaktua nga masakra më e rëndë në historinë e Izraelit, e kryer më 7 tetor 2023, nga Hamasi dhe organizata të tjera ekstremiste palestineze në Izrael, pranë kufirit me Rripin e Gazës.
Trump sugjeroi transformimin e Gazës në një “Rivierë të Lindjes së Mesme” dhe “rivendosjen” e përhershme të rreth dy milionë palestinezëve në Egjipt dhe Jordani, duke nxitur OKB-në të paralajmëronte për “spastrim etnik”.
Deklaratat e Trumpit shkaktuan zemërim në botën arabe dhe më gjerë./ /i.s/