SHBA – Trump: Armëpushimi me Iranin në gjendje kritike

UASHINGTON, 11 maj /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit është në gjendje shumë kritike, duke paralajmëruar se marrëveshja mbetet jashtëzakonisht e brishtë, raportoi BBC.
Duke folur sot para gazetarëve në Zyrën Ovale, Trump tha se armëpushimi njëmujor vazhdon të jetë në fuqi, por e përshkroi atë si “tepër të brishtë”.
Tensionet u rritën pasi Irani paraqiti një kundërpropozim ndaj planit amerikan për t’i dhënë fund luftës dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Trump e hodhi poshtë propozimin, duke e cilësuar atë “plotësisht të papranueshëm” dhe “një copë mbeturinë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, reagoi duke thënë se propozimet e Teheranit ishin “të përgjegjshme” dhe “bujare”.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane “Tasnim” propozimi i Iranit përfshin, përfundimin e menjëhershëm të luftës në të gjitha frontet, ndalimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, dhënien e garancisë për të mos kryer sulme të tjera ndaj Iranit, kompensim për dëmet e luftës si dhe njohjen e sovranitetit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit.
Trump reagoi ashpër edhe në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku shkroi: “Sapo lexova përgjigjen e të ashtuquajturve “përfaqësues” të Iranit. Nuk më pëlqeu – PLOTËSISHT E PAPRANUESHME”.
Më vonë, në Zyrën Ovale, ai e krahasoi situatën e armëpushimit me një pacient në gjendje kritike.
“Do të thosha se armëpushimi është në mbështetje masive për jetën… kur mjeku hyn dhe thotë: “Zotëri, personi juaj i dashur ka afërsisht 1% shanse për të mbijetuar”.
Trump akuzoi gjithashtu udhëheqjen iraniane se po ndryshon vazhdimisht qëndrim dhe pretendoi se Teherani është tërhequr nga një marrëveshje për largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.
Ai përsëriti se Irani “nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.
Nga ana tjetër, “Tasnim” citoi një burim pranë ekipit negociator iranian – i cili tha se “nuk ekziston asnjë klauzolë në propozimin iranian që pranon largimin e materialeve bërthamore të pasuruara”.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar duhet të “largohen” dhe objektet e pasurimit të “shkatërrohen” përpara se konflikti të konsiderohet i përfunduar.
Sipas raportimeve të “Axios”, memorandumi fillestar amerikan me 14 pika parashikon, pezullimin e pasurimit bërthamor iranian, lehtësimin e sanksioneve dhe rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Irani vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) në botë, duke nxitur rritje të çmimeve globale të naftës.
Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane për të rritur presionin mbi Teheranin që të pranojë kushtet amerikane. //a.i/