E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Vizita e Trump në Kinë vë në provë armëpushimin e brishtë tregtar

UASHINGTON, 11 maj /ATSH/- Vizita e presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë këtë javë pritet të testojë armëpushimin e brishtë tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit, në një moment vendimtar për marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës, sipas BBC.

Pekini konfirmoi se Trump do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë nga 13 deri më 15 maj, ku do të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping.

Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti amerikan në Kinë pas gati një dekade.

Sipas raportimeve, Trump do të shoqërohet nga drejtues të disa prej kompanive më të mëdha amerikane, përfshirë “Boeing”, “Citigroup” dhe “Qualcomm”, me synimin për të arritur marrëveshje me kompani kineze.

Vizita shihet si një provë kyçe për armëpushimin tregtar të arritur pas luftës tarifore mes SHBA-së dhe Kinës.

Në vitin 2025, Trump vendosi tarifa të gjera importi ndaj shumë vendeve, përfshirë Kinën, duke nxitur një përshkallëzim tarifash reciproke që kaluan 100%.

Përplasja tregtare kishte nisur që në vitin 2018, kur Trump vendosi tarifa ndaj importeve kineze me vlerë 250 miliardë dollarë, me argumentin se synonte të rikthente vendet e punës në industrinë amerikane dhe të korrigjonte marrëdhëniet tregtare.

Edhe administrata e ish-presidentit Joe Biden vazhdoi linjën e ashpër ndaj Pekinit, duke ruajtur tarifat e Trump dhe duke vendosur kufizime ndaj kompanive kineze si “Huawei”.

Po ashtu, automjetet elektrike kineze u goditën me tarifa të larta që praktikisht i përjashtuan nga tregu amerikan.

Pas rikthimit në pushtet në vitin 2025, Trump forcoi më tej politikën tarifore, duke vendosur tarifa shtesë prej 20% ndaj Kinës dhe duke akuzuar Pekinin për lejimin e trafikut të fentanilit drejt SHBA-së.

Kina reagoi me kundërmasa ndaj produkteve bujqësore amerikane, ndërsa tensionet prekën edhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Megjithatë, Pekini ruajti një avantazh strategjik – falë dominimit pothuajse monopol në eksportin e mineraleve të rralla, thelbësore për prodhimin e teknologjisë së avancuar dhe pajisjeve ushtarake.

Takimi i fundit mes Trump dhe Xi në tetor përfundoi me një marrëveshje të përkohshme, ku Kina pezulloi disa kufizime eksporti, ndërsa SHBA-ja uli pjesërisht tarifat dhe zbuti kufizimet ndaj shitjes së gjysmëpërçuesve.

Megjithatë, një zgjidhje e përhershme për mosmarrëveshjet tregtare mbetet ende larg.

Përveç tregtisë, lufta në Iran pritet të jetë një tjetër temë kyçe në takimin Trump-Xi.

Edhe pse Kina ka arritur të zbusë ndikimin ekonomik të konfliktit falë rezervave të saj energjetike dhe importeve nga Rusia, zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar masa shtesë për mbrojtjen e sigurisë energjetike dhe zinxhirëve të furnizimit.

Analistët vlerësojnë se si Pekini ashtu edhe Uashingtoni kanë interes për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme, megjithëse mbeten thellësisht të ndarë në qasjen ndaj Iranit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›