SHBA – Trump: Ekziston gjithmonë mundësia e një takimi me Putinin

UASHINGTON, 7 nëntor /ATSH-ANSA/ – Gjithmonë ekziston mundësia e një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, deklaroi sot presidenti amerikan, Donald Trump, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët pas mbërritjes së kryeministrit hungarez, Viktor Orban në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Trump deklaroi edhe se po shqyrtonte mundësinë e dhënies së një përjashtimi për Hungarinë nga sanksionet amerikane në lidhje me hidrokarburet ruse.
“Po e shqyrtojmë, sepse është shumë e vështirë për ta të marrin naftë dhe gaz nga rajone të tjera. Siç e dini, ata nuk kanë qasje në det”, u tha presidenti amerikan gazetarëve.
Trump i kërkoi Bashkimit Evropian të respektojë Hungarinë dhe kryeministrin e saj, Viktor Orban, i cili, së bashku me presidentin amerikan, u ankua për sanksionet financiare të vendosura nga BE ndaj Budapestit për politikat e saj të imigracionit.
“Ata duhet ta respektojnë Hungarinë dhe ta respektojnë këtë udhëheqës shumë, shumë të fuqishëm, sepse ai e ka kuptuar mirë imigracionin”, u tha Trump gazetarëve.
“Shikoni çfarë i ndodhi Evropës me imigracionin; ata kanë njerëz që vërshojnë në Evropë nga kudo dhe kjo po i dëmton ata”, shtoi presidenti amerikan, i cili vetë ka zbatuar një politikë shtypjeje të fortë të imigracionit që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar./ a.jor.