Superliga, Flamurtari mund Bylisin dhe lë Tiranën në fund të klasifikimit

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Flamurtari ka fituar sot me rezultatin 1-0 ndaj Bylisit, në ndeshjen që hapi javën e 11-të të Superligës shqiptare të futbollit.
Sfida e luajtur në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë, pas dakordësisë së arritur mes klubeve në fazën e parë të kampionatit (kur ndeshja u luajt në Ballsh edhe pse Bylisi ishte “mysafir”), i dha skuadrës kuqezi fitoren e dytë në Superligë, duke e larguar momentalisht nga fundi i klasifikimit, ku tashmë është pozicionuar Tirana.
Golin e vetëm e shënoi Erald Maksuti, sulmuesi 21-vjeçar i Flamurtarit, në minutën e 63-të, duke i dhënë skuadrës një fitore të rëndësishme. Ky ishte goli i tretë personal i futbollistit.
Me këtë fitore, Flamurtari shkon në kuotën e 8 pikëve dhe mbahet në vendin e 9-të, dy pikë më shumë se Tirana, e cila renditet në fund të klasifikimit, ndërsa Bylisi mbetet në vendin e 6-të me 12 pikë.
Java 11 – Rezultate dhe programi
Bylis – Flamurtari 0-1
Tirana – FK Vora, 08.11.2025, 14:00
Vllaznia – Dinamo City, 08.11.2025, 17:00
Teuta – Partizani, 09.11.2025, 17:00
AF Elbasani – Egnatia, 09.11.2025, 17:00
Klasifikimi pas ndeshjes Bylis-Flamurtari
1. Vllaznia 20 pikë
2. Elbasani 20 pikë
3. Egnatia 19 pikë
4. Dinamo City 18 pikë
5. Teuta 15 pikë
6. Bylis 12 pikë*
7. Vora 11 pikë
8. Partizani 9 pikë
9. Flamurtari 8 pikë*
10. Tirana 6 pikë
*Flamurtari dhe Bylis kanë një ndeshje më shumë
/a.f/