E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Ius Soli një e keqe për Amerikën

NJU JORK, 30 qershor /ATSH-ANSA-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi sot Gjykatën e Lartë për Ius Soli (shtetësi e fituar nga lindja) dhe i kërkoi Kongresit të veprojë për t’i dhënë fund shtetësisë me të drejtë lindjeje.

“Gjykata Supreme ka mbështetur shtetësinë e fituar nga e drejta e lindjes – e cila është një e keqe për vendin tonë – por ne mund ta rregullojmë lehtësisht në Kongres me legjislacion”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Nuk është i nevojshëm asnjë amendament kushtetues. Kongresi duhet të fillojë të punojë që sot për t’i dhënë fund shtetësisë me të drejtë lindjeje, një praktikë e kushtueshme dhe e padrejtë për vendin tonë. Ata do të kenë mbështetjen time të plotë”, theksoi ai.

Presidenti Donald Trump humbi sot përballë Gjykatës së Lartë amerikane në mosmarrëveshjen mbi shtetësinë e fituar nga lindja, pasi ajo vendosi që fëmijët e lindur në SHBA do të vazhdojnë të marrin shtetësinë automatikisht.

Në një vendim të arritur nga tre nga gjashtë gjyqtarët konservatorë, përfshirë Kryetarin e Gjykatës, dhe tre gjyqtarët liberalë, Gjykata rrëzoi një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më 20 janar 2025 nga Donald Trump pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë – më i diskutueshmi i mandatit të tij të dytë.

Ky urdhër ekzekutiv, i shpallur jokushtetues nga të gjitha gjykatat e ulëta që dëgjuan çështjen, eliminoi shtetësinë e së drejtës së lindjes për fëmijët e emigrantëve pa dokumente me qëllim që t’i jepte fund asaj që presidenti republikan e konsideron një nxitje për imigracionin e paligjshëm, shtypja e të cilit është një përparësi kryesore për të.

Por, në vendimin e tij të shkruar në emër të Gjykatës, kryetari i Gjykatës John Roberts arriti në përfundimin se fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër “të pranishëm në mënyrë të paligjshme ose të përkohshme” janë megjithatë “qytetarë nga lindja sipas Amendamentit të 14-të” të Kushtetutës.

Parimi i shtetësisë së të drejtës së lindjes, i cili përcakton se çdo fëmijë i lindur në Shtetet e Bashkuara është automatikisht shtetas amerikan, u sanksionua në Amendamentin Kushtetues të vitit 1868, të miratuar pas Luftës Civile, për të garantuar të drejtat e skllevërve të liruar dhe pasardhësve të tyre.

I zbatuar për më shumë se 150 vjet, ky parim u forcua më tej në vitin 1898 me një vendim të Gjykatës së Lartë që njihte se djali i emigrantëve kinezë të lindur në Kaliforni ishte me të vërtetë shtetas amerikan që nga lindja./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›