E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Kontrolli i Kanalit të Panamasë dhe Groenlandës një domosdoshmëri absolute

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA-AA/ – Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump kërcënoi dje se do të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, një vendkalim kyç i anijeve, duke shkaktuar një kundërshtim të ashpër nga presidenti i Panamasë.

Trump, në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, pretendoi se ish-presidenti Jimmy Carter “e dha marrëzisht atë, për një dollar” pasi u ndërtua “me një kosto të madhe për Shtetet e Bashkuara”.

Ai tha se Panamaja po i ngarkonte SHBA-së “çmime të tepruara dhe tarifa kalimi” dhe se dhënia e sovranitetit të Panamasë mbi kanalin “nuk ishte dhënë për të mirën e të tjerëve, por thjesht si një shenjë bashkëpunimi me ne dhe Panamanë”.

“Kjo “shqyerje” e plotë e vendit tonë do të ndalet menjëherë,” shkroi presidenti i ardhshëm. Nëse jo, “atëherë do të kërkojmë që të na kthehet Kanali i Panamasë, i plotë dhe pa diskutim”, shtoi ai.

Trump mbrojti edhe idenë e tij se kontrolli dhe pronësia e Grenlandës, rajonit autonom të Danimarkës, është domosdoshmëri absolute.

Në postimin në llogarinë e tij në rrjetin social “Truth Social”, ku ai njoftoi se kishte zgjedhur bashkëthemeluesin e “PayPal”, Ken Howery si ambasador të SHBA-së në Kopenhagë, Trump përsëriti deklaratën e tij se Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së.

Trump në postimin e tij tha se “për sigurinë kombëtare dhe lirinë në mbarë botën SHBA-ja mendon se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është domosdoshmëri absolute”.

Pavarësisht se Grenlanda fitoi autonominë nga Danimarka në vitin 1979, ajo ende varet nga ky vend në çështjet e jashtme, sigurinë dhe financiare.

Në vitin 1946 ish-presidenti i SHBA-së, Harry Truman i ofroi Danimarkës 100 milionë dollarë ar për të blerë Grenlandën e cila ka rezerva të pasura uraniumi, ari, nafte dhe gazi.

Tani 73 vjet pas kësaj oferte, Trump ka deklaruar se SHBA-ja dëshiron të blejë Grenlandën dhe çështja shkaktoi krizë diplomatike afatshkurtër midis Danimarkës dhe SHBA-së. Për shkak të tensioneve diplomatike, Trump anuloi udhëtimin e tij zyrtar në Danimarkë. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›