E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Putin nuk do të sulmojë asnjë territor të NATO-s

UASHINGTON, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot  se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të sulmojë asnjë territor të NATO-s.

“Kam pasur diskutime të mira me të. Ai nuk do të sulmojë asnjë territor të NATO-s”, u shpreh Trump gjatë një komunikimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata e presidentit amerikan vjen pasi Kremlini i cilësoi sot si “histori alarmante” raportimet në mediat amerikane se drejtori i CIA-s kishte udhëtuar këtë javë në Moskë për të bindur Rusinë të mos ndërmerrte një sulm ndaj NATO-s.

Moska i ka hedhur poshtë këto raportime, duke i cilësuar si të shkëputura “nga realiteti”.

Rusia, e cila prej vitit 2022 po zhvillon një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, ka mohuar vazhdimisht çdo synim për të sulmuar vendet anëtare të NATO-s.

Aleanca ushtarake, zgjerimi i së cilës deri në kufijtë e Rusisë gjatë dekadave të fundit konsiderohet nga Moska si një kërcënim ekzistencial, mbetet një prej pikave kryesore të përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit.

Trump deklaroi dje se vizita e drejtorit të CIA-s nuk kishte lidhje me kërcënime ruse ndaj NATO-s, duke lënë të kuptohej se ajo lidhej me çështjen e Ukrainës./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›