E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA – Trump dhe Starmer takohen në Shtëpinë e Bardhë mes mosmarrëveshjeve për Ukrainën

UASHINGTON, 27 shkurt /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të takohen sot në Shtëpinë e Bardhë – në vizitën e tyre të parë që kur udhëheqësi republikan përmbysi politikën e SHBA-së për konfliktet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe tregtinë globale, sipas “Reuters”.

Starmer është lideri i dytë evropian që takohet me Trump këtë javë – pasi presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi të hënën një takim miqësor, në Shtëpinë e Bardhë – që shfaqi dallime të mëdha rreth luftës së Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjeve të SHBA për një armëpushim të shpejtë.

Trump, i cili erdhi në detyrë më 20 janar, ka tronditur Evropën, duke u afruar më shumë me Moskën dhe presidentin rus Vladimir Putin – dhe duke e quajtur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “një diktator” dhe duke kërkuar rimbursim për mbështetjen financiare të SHBA-së për Kievin.

Zelensky pritet të mbërrijë në Uashington të premten për të nënshkruar një marrëveshje me Trump për mineralet e rralla të tokës – një pakt që udhëheqësi ukrainas tha se do të varej nga ndihma e mëtejshme e SHBA-së.

Trump e sheh marrëveshjen si një rrugë për të rikuperuar paratë amerikane që janë shpenzuar për të mbështetur Ukrainën.

Starmer i kërkoi dje SHBA-së të ofronte një mbështetje sigurie për çdo forcë evropiane që merrte pjesë në një rol të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë – duke thënë se kjo do t’i ofronte Kievit një paqe të qëndrueshme dhe jo një pauzë të përkohshme të dhunës.

Ai ka sinjalizuar se Britania e Madhe do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe pritet të informojë presidentin amerikan se Evropa do të sigurojë mbështetje dhe garanci sigurie për Kievin nëse bisedimet e paqes me Rusinë janë të suksesshme.

Trump ka thyer normat e politikës së jashtme dhe politikës së brendshme që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, duke tronditur aleatët duke premtuar tarifa tregtare për miqtë dhe armiqtë e SHBA-së.

Marrëdhënia e tij me Starmer u duk miqësore në shtator gjatë një darkë dyorëshe në Nju Jork në Kullën Trump – një takim që ekipi i liderit britanik tha se ishte i ngrohtë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›