SHBA – Trump emëron Grenell si të dërguar për misione speciale

UASHINGTON, 15 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet i dërguari për misionet speciale për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.
“Ric do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në mbarë botën, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, shkroi sot Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
“Ric do të vazhdojë të luftojë për paqen përmes forcës dhe gjithmonë do të vendosë AMERIKËN TË PARËN”, shtoi ai.
Gjatë kohës së tij në Berlin, ku Trump e dërgoi atë në vitin 2018 gjatë mandatit të tij të parë si president, Grenell shpesh kritikoi vendin e tij pritës dhe udhëheqësen e tij, ish-kancelaren Angela Merkel, duke u ankuar për atë që ai tha se ishte kontributi i pamjaftueshëm financiar i Gjermanisë në aleancën e mbrojtjes së NATO-s.
Edhe pas mandatit të tij, Grenell, 58 vjeç, kritikoi shpesh Gjermaninë.
Besnik i presidentit Trump, Grenell, ishte konsideruar më parë si sekretar i mundshëm i Shtetit, por ky emërim i shkoi senatorit nga Florida, Marco Rubio.
Të shtunën, Trump njoftoi se ish-kongresmeni republikan nga Kalifornia, Devin Nunes, një tjetër besnik i Trumpit, do të drejtojë bordin e ardhshëm këshillues të shërbimit sekret presidencial – dhe gjithashtu do të mbajë detyrën e tij aktuale si shef ekzekutiv i Truth Social./ a.jor.