E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump i gatshëm të lehtësojë tarifat ndaj Kinës në këmbim të marrëveshjes së TikTok-ut

UASHINGTON, 27 mars /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha se do të ishte i gatshëm të ulte tarifat ndaj Kinës për të arritur një marrëveshje me kompaninë mëmë kineze të TikTok, “ByteDance”, për të shitur aplikacionin e medias sociale të përdorur nga 170 milionë amerikanë, sipas “The Guardian”.

Ai pranoi rolin që Kina do të luante në çdo marrëveshje. “Në lidhje me TikTok-un, dhe Kina do të duhet të luajë një rol, ndoshta në formën e një miratimi, ndoshta, dhe unë mendoj se ata do ta bëjnë këtë”, u tha dje Trump gazetarëve.

“Ndoshta do t’u ofrojë atyre një ulje të vogël të tarifave”, shtoi ai.

Deklarata e Trump sugjeron se shitja e TikTok-ut është një prioritet për administratën e tij dhe mjaft e rëndësishme për të përdorur tarifat si një mjet pazaresh me Pekinin.

TikTok-u nuk ka komentuar menjëherë. “ByteDance” ka një afat deri më 5 prill për të gjetur një blerës jo-kinez për TikTok-un ose do të përballet me një ndalim në SHBA – për arsye sigurie kombëtare që supozohej të kishte hyrë në fuqi në janar sipas një ligji të vitit 2024.

Masa është rezultat i shqetësimit në Uashington se pronësia e TikTok-ut nga “ByteDance” e bën atë në pronësi të qeverisë kineze dhe se Pekini mund të përdorë aplikacionin për të kryer operacione kundër SHBA-së dhe për të mbledhur të dhëna për amerikanët.

Në shkurt dhe në fillim të këtij muaji, Trump njoftoi një rritje të tarifave prej 20% për të gjitha importet nga Kina.

Arritja e një marrëveshjeje me Kinën për të hequr dorë nga kontrolli i TikTok-ut me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, ka qenë gjithmonë pengesa më e madhe për të përfunduar një pakt.  Trump ka përdorur tarifat si një mjet pazaresh në negociata, në të kaluarën.

Më 20 janar, ditën e tij të parë në detyrë, ai paralajmëroi se mund të vendoste tarifa ndaj Kinës nëse Pekini nuk arrinte të miratonte marrëveshjen e SHBA-së për TikTok-un.

Zëvendëspresidenti JD Vance tha se pret që kushtet e përgjithshme të marrëveshjes që zgjidh pronësinë e platformës së medias sociale të arrihen deri më 5 prill. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›