E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Trump i shpëton një tjetër atentati, arrestohet një 58 vjeçar

KAROLINE E VERIUT, 16 shtator /ATSH-ANSA/ – Një person i armatosur që dyshohet se do të kryente sulm ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump është ndaluar në klubin e golfit të residencës së tij.

Ai është identifikuar si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç. Në rrjetet e tij sociale ai ka postuar disa herë për luftën në Ukrainë, duke tentuar gjithashtu të rekrutojë ushtarë për kauzën e Kievit.

Kjo është tentativa e dytë për vrasjen e Donald Trump në dy muaj.

“Jam mirë, nuk do të dorëzohem kurrë”, siguroi shkurt ish-presidenti.

Alarmi ra rreth orës 13:30. Trump ishte duke luajtur golf në klubin e tij në West Palm Beach. Një agjent i Shërbimit Sekret përpara tij vuri re tytën e një pushke që dilte nga gardhi dhe ndërhyri duke hapur zjarr.

Kolegët e tij, ndërkohë, siguruan Trumpin: ata u hodhën mbi të dhe e mbuluan atë, të mbrojtur edhe nga snajperët përreth.

Ish-presidenti më pas u shoqërua me një karrocë golfi, përpara se të kthehej në Mar-a-Lago me një eskortë të përforcuar. Një dëshmitar aty pranë e pa të dyshuarin duke vrapuar nga shkurret dhe ishte në gjendje të fotografonte makinën dhe targat me të cilën ai kishte ikur.

Pas dorëzimit të pamjeve në polici, efektivët arritën ta identifikonin dhe ta ndalonin: kur e ndaluan ai ishte i paarmatosur dhe ishte i qetë, pa shfaqur emocione të mëdha.

Në shkurre, policia gjeti një çantë shpine, një kamerë GoPro dhe një pushkë të stilit Ak-47. Motivi i të dyshuarit nuk është ende i qartë. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›