SHBA – Trump njofton vdekjen e një prej rojave të Gardës Kombëtare

UASHINGTON, 28 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha se një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që u qëlluan të mërkurën pranë Shtëpisë së Bardhë, ka vdekur.
“Ajo u sulmua barbarisht dhe vdiq”, tha Trump për gruan 20-vjeçare që shërbeu në Gardën Kombëtare të Virxhinias Perëndimore.
Të mërkurën pasdite, dy anëtarë të Gardës Kombëtare, në patrullë pranë stacionit të metrosë ”Farragut West” të Uashingtonit, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, u qëlluan.
Trump shtoi se anëtari tjetër i rojave që u qëllua, një 24-vjeçar, po luftonte për jetën e tij.
Trump e ka quajtur të shtënat një “akt terrori”.
Një shtetas afgan 29-vjeçar u arrestua menjëherë pas incidentit si i dyshuari i vetëm./ a.jor.