SHBA – Trump vlerëson Musk për reformat dhe shkurtimet me rastin e largimit nga administrata

TEHERAN, 30 maj /ATSH/- Presidenti i SHBA-së Donald Trump vlerësoi sot miliarderin e teknologjisë Elon Musk me fjalët më tëmira për përpjekjet e tij për të ulur shpenzimet qeveritare, në kuadër të largimit të tij nga administrata.
“Musk nisi programin më gjithëpërfshirës dhe më të gjerë të reformave të qeverisë ndër breza”, tha Trump gjatë një dalje publike të përbashkët me sipërmarrësin e lindur në Afrikën e Jugut.
Presidenti amerikan iu referua Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) të udhëhequr nga Musk.
“Shërbimi i Elon ndaj Amerikës është i pakrahasueshëm në historinë moderne”, tha Trump.
“Musk i kurseu qeverisë miliarda dollarë dhe solli një “ndryshim kolosal” në mënyrën se si i bën gjërat Uashingtoni”, shtoi ai.
“Shuma e kursyer nga Musk dhe ekipi i tij do të vazhdonte të rritej me kalimin e kohës”, tha Trump, duke vënë në dukje se populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i detyrohej një mirënjohjeje.
Trump shprehu gjithashtu besim se Musk nuk do të zhdukej plotësisht nga skena politike.
“Ai do të jetë vazhdimisht në lëvizje, mendoj, kam një ndjesi. DOGE është fëmija i tij,” tha Trump në Zyrën Ovale, ndërsa Musk qëndronte pranë tij.
Musk tha se shpresonte të vazhdonte të vizitonte Shtëpinë e Bardhë si një “mik dhe këshilltar”.
“Ky nuk është fundi i DOGE, por fillimi”, tha ai.
Musk njoftoi të mërkurën se koha e tij në shërbimin qeveritar po mbaronte – siç ishte planifikuar – dhe ai synonte të kthehej në drejtimin e kompanive të tij.
Statusi i tij si “punonjës special qeveritar” është i kufizuar në 130 ditë – sipas rregullave të SHBA-së.
Sipas rregullave, Musk do të duhej të tërhiqej nga pozicioni në fund të majit. //a.i/