UASHINGTON – Trump i bindur për armëpushimin në Gazë

UASHINGTON, 30 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shprehur besimin se armëpushimi në luftën e Gazës mund të arrihet së shpejti.
“Palët ndërluftuese janë shumë afër një marrëveshjeje për Gazën”, u tha sot Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se Shtëpia e Bardhë do të kishte më shumë detaje mbi marrëveshjen e Gazës në ditët në vijim.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të përkohshëm në luftën e Gazës.
Megjithatë, është ende e paqartë nëse organizata militante palestineze Hamas do të bjerë dakord gjithashtu me propozimin. Hamasi tha se aktualisht është duke e shqyrtuar planin.
Sipas raporteve të medias izraelite, plani i hartuar nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, parashikon një armëpushim 60-ditor.
Sipas planit, 10 pengje të mbajtura në Rripin e Gazës do të lirohen në dy faza brenda një jave. Përveç kësaj, do të dorëzohen trupat e 18 të rrëmbyerve.
Në këmbim, 125 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1111 banorë të Gazës të ndaluar që nga sulmi terrorist më 7 tetor 2023, do të lirohen.
Sipas raportimeve, bisedimet për përfundimin e luftës në Gaza do të zhvillohen gjatë armëpushimit dymujor.
Nëse Izraeli dhe Hamasi arrijnë një marrëveshje, pengjet e mbetura dhe trupat e të rrëmbyerve do të dorëzohen.
Hamasi kohët e fundit, ka refuzuar një armëpushim të përkohshëm duke kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe përfundimin e luftës. //a.i/