SHBA – Trump zgjedh James David Vance si zëvendëspresident

MILUOKI, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti amerikan, Donald Trump zgjodhi James David Vance, një senator nga Ohio, për të qenë kandidati i tij si zëvendëspresident, njofton ai në platformën e tij të mediave sociale ”Truth Social”.
“Kam vendosur që personi më i përshtatshëm për të marrë postin e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara është senatori JD Vance i shtetit të madh të Ohajos”, shkroi Trump.
Libri me kujtime i Vance “Hillbilly Elegy” ka qenë një bestseller, ndërkohë që dikur ai ka qenë një kritik i ashpër i Trump.
Trump e bëri njoftimin ndërsa konventa kombëtare republikane po zhvillohet në Miluoki.
Trump do të konfirmohet zyrtarisht si i nominuari i partisë për president në konventë, vetëm disa ditë pas një tentative për vrasjen e tij.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor dhe do të jenë një revansh mes Trump dhe presidentit aktual demokrat, Joe Biden.
Zëvendëspresidentja aktuale, Kamala Harris do të jetë sërish kandidatja e Bidenit./ a.jor.