SHBA – Uashingtoni njofton tërheqjen e plotë të trupave nga Afganistani

SHBA-ja theksoi se të gjitha trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri në fund të gushtit, disa orë pas njoftimit për largimin e të gjithë ushtarëve amerikanë dhe të NATO-s nga baza ajrore e Bagramit, më e madhja në vend, shkruan ATSH.
Talebanët mirëpritën largimin e trupave të huaja nga këto objekte të vendosura 50 kilometra në veri të Kabulit të cilat ishin shtylla kurrizore e operacioneve amerikane gjatë gjithë luftës së filluar në 2001.
Ishte prej andej që u kryen sulmet ajrore kundër talebanëve dhe aleatëve të tyre të Al-Kaidës dhe u organizua furnizimi i ushtarëve.
“Aerodromi i Bagramit iu dorëzua zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes. SHBA-ja dhe forcat e koalicionit janë tërhequr plotësisht nga baza dhe tani forcat e armatosura afgane do ta mbrojnë atë dhe do ta përdorin atë për të luftuar terrorizmin”, shkroi në Twitter zëvendëszëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Fawad Aman.