E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sulmet kibernetike, SHBA dhe Britania, paralajmërim për fushatën e sulmeve kompjuterike nga Rusia

Shtetet e Bashkuara dhe Britania lëshuan një tjetër alarm rreth aktivitetit rus në hapësirën kibernetike, duke akuzuar Kremlinin se vazhdimisht po përpiqet të futet në sistemet kritike të agjencive qeveritare, kontraktorëve të mbrojtjes, universiteteve dhe madje partive politike.

Një grup i përbashkët këshillues i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Britanisë tha se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse ka kryer një fushatë “të forcës brutale” që nga viti 2019, duke shtënë në dorë adresa emaili, dhe më pas duke zbërthyer fjalëkalimet për të hyrë në sistemet e kompjuterave. 

Raporti vuri në dukje se shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU ka shënjestruar me sukses qindra organizata amerikane dhe të huaja, si dhe agjenci të ndryshme të qeverisë amerikane, si Departamenti i Mbrojtjes. 

Në të kaluarën për disa elemente të kësaj fushate janë fajësuar aktorë kibernetikë rusë të njohur si Fancy Bear, APT28 ose Strontium, thuhet në raport. 

Më 7 maj, hakerë të dyshuar rusë kryen një sulm të madh kibernetik ndaj operatorit më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline. 

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë thënë se sulmi në SolarWinds ka qenë pjesë e një operacioni rus, por ekspertët e sigurisë kibernetike kanë thënë se ai është kryer nga shërbimi i inteligjencës së huaj ruse dhe jo nga GRU. 

Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar GRU-në për sulme kibernetike edhe ndaj Partisë Demokratike në SHBA, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe ndaj kompanive farmaceutike që prodhojnë vaksina kundër koronavirusit, ndërkohë që Rusia e ka mohuar përfshirjen. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›