E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Vdes Ted Turner, themeluesi i CNN-it

UASHINGTON, 6 maj /ATSH-AFP/ – Rrjeti amerikan 24-orësh i lajmeve, CNN njoftoi sot vdekjen e themeluesit të tij, Ted Turner, në moshën 87-vjeçare.

Në vitin 2018, manjati i medias i lindur në Cincinnati zbuloi se vuante nga demenca me trupa Lewy, një sëmundje neurodegjenerative që shkakton simptoma të ngjashme me Parkinsonin dhe Alzheimerin.

Një figurë ekstravagante dhe provokuese, dikur i martuar me aktoren Jane Fonda, ai themeloi CNN në vitin 1980.

Ted Turner hyri në botën e medias duke marrë përsipër biznesin familjar të reklamave të lënë nga i ati.

Pasi bleu disa stacione radiofonike, blerja e tij në vitin 1970 e një stacioni në Atlanta që po përballonte vështirësi shënoi hyrjen e tij në televizion.

Përtej biznesit dhe sportit, pasionit të tij tjetër të madh, ai ishte i njohur edhe për angazhimet e tij filantropike dhe mjedisore.

Në vitin 1998, Ted Turner dhuroi një miliard dollarë në Kombet e Bashkuara për të krijuar Fondacionin e Kombeve të Bashkuara, i cili përqendrohet në klimën, zhvillimin e qëndrueshëm, teknologjinë dhe shëndetin.

Ai gjithashtu krijoi një fond në vitin 1997 për të mbrojtur speciet e rrezikuara si breshkat gofer, fluturat monarke dhe bretkosa të caktuara, në bashkëpunim me pronarë privatë tokash./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›