E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla vizitë në baxhon në Libohovë: Fokus te standardet dhe mbështetja e prodhimit vendas

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministren e Arsimit, njëherësh drejtuese politike e PS për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, zhvilluan një vizitë në Libohovë, ku u ndalën në baxhon “FAM”, një ndër subjektet përpunuese të qumështit në zonë që po konsolidon standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve.

Gjatë takimit me sipërmarrësin Fredi Mahmutaj, ministri u njoh nga afër me aktivitetin e baxhos, e cila në kuadër të procesit të vlerësimit dhe kategorizimit të prodhimeve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë është klasifikuar në kategorinë nr. 2.

Historia e këtij biznesi familjar nis nga babai i Fredit, Afrat Mahmutaj, ndërsa sot baxhoja përpunon rreth 2000 litra qumësht në ditë, duke grumbulluar pothuajse të gjithë prodhimin e fermerëve të zonës përreth.

Ky model bashkëpunimi ka kontribuar në forcimin e zinxhirit lokal të furnizimit dhe në rritjen e të ardhurave për fermerët e zonës.

Ministri Salla vlerësoi investimet e kryera ndër vite, të cilat kanë mundësuar modernizimin e linjave të përpunimit dhe kalimin drejt proceseve gjysmautomatike.

Sipas tij, këto zhvillime janë një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushën e sigurisë ushqimore.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›