SHBA – Zyrtarët amerikanë: Rusia mund të godasë Ukrainën me një tjetër raketë “Oreshnik”

UASHINGTON, 11 dhjetor /ATSH-AFP/- Rusia së shpejti mund të shënjestrojë Ukrainën me një tjetër raketë hipersonike “Oreshnik”, thanë sot zyrtarët amerikanë – pasi Moska përdori për herë të parë një nga armët gjatë një sulmi muajin e kaluar.
“Rusia ka sinjalizuar synimin e saj për të lëshuar një tjetër raketë eksperimentale “Oreshnik” në Ukrainë, potencialisht në ditët në vijim”, tha një zyrtar në kushte anonimiteti.
“Megjithatë, kjo raketë nuk është një ndryshim në fushën e betejës, por një përpjekje për të frikësuar Ukrainën dhe aleatët e saj. “Oreshnik”, me kokën e saj më të vogël dhe disponueshmërinë e kufizuar, nuk ka gjasa të ndryshojë rrjedhën e konfliktit”, tha zyrtari.
Një zyrtar i dytë amerikan gjithashtu minimizoi ndikimin e mundshëm të raketës, duke thënë se Moska kishte furnizime të kufizuara.
“Rusia dëshiron të përdorë këtë armë për të frikësuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj, por realiteti është se Rusia ka të ngjarë të ketë vetëm një pjesë të vogël të këtyre raketave eksperimentale”, tha zyrtari.
Putini zbuloi armën me aftësi bërthamore muajin e kaluar – pasi e përdori atë për të goditur qytetin e Dnipros në Ukrainën qendrore, duke përshkallëzuar ashpër tensionet në konfliktin pothuajse trevjeçar.
SHBA-ja ka udhëhequr mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, duke krijuar një koalicion për të ndihmuar Kievin – pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022 – dhe duke koordinuar financimet nga dhjetëra vende.
Mbështetësit ndërkombëtarë të Ukrainës kanë ofruar armë, municione, trajnime dhe ndihma të tjera sigurie me vlere dhjetëra miliarda dollarë – që kanë qenë thelbësore për të ndihmuar Kievin t’i rezistonte forcave ruse. //a.i/