SHBA- Hegseth : Do të tërheqim 5 000 trupa nga Gjermania brenda një viti

UASHINGTON, 2 maj /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e rreth 5 000 trupave amerikane nga Gjermania.
Një zëdhënës i Pentagon tha se tërheqja pritet të përfundojë brenda gjashtë deri në 12 muajve të ardhshëm.
Pentagoni theksoi se vendimi “pason një rishikim të plotë të vendosjes së forcave të Departamentit të Mbrojtjes në Evropë dhe merr parasysh kërkesat operative dhe kushtet në terren”.
Njoftimi vjen pas një komenti të pakujdesshëm të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili sugjeroi se qeveria iraniane e ka “poshtëruar” SHBA-në në negociata, duke shkaktuar reagim të ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump më herët gjatë javës.
Kancelari Merz deklaroi të hënën e kaluar se administrata Trump kishte “hyrë në këtë luftë në Iran pa asnjë strategji” dhe se SHBA-ja ishte “poshtëruar” nga Teherani.
Presidenti Trump reagoi duke sulmuar verbalisht Merz, duke thënë se lideri gjerman “nuk e di për çfarë flet” dhe se “duhet të përqendrohet më shumë në përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës”.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se administrata e tij po “studion dhe shqyrton mundësinë e reduktimit të trupave në Gjermani”.
Trump kishte kërcënuar më parë me uljen e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021).
Sipas të dhënave ushtarake amerikane nga mesi i prillit, rreth 86 000 ushtarë amerikanë janë aktualisht të vendosur në Europë, përfshirë rreth 39 000 në Gjermani.
Ky numër ndryshon rregullisht për shkak të rotacioneve dhe stërvitjeve ushtarake.
Në Gjermani përfshihen baza kyçe si Komanda Evropiane e SHBA-së në Shtutgart dhe baza ajrore Ramstein në landin Rheinland-Pfalz, e cila shërben si qendër kryesore për Forcat Ajrore amerikane.
SHBA-ja gjithashtu mban baza të rëndësishme në Itali dhe në Britaninë e Madhe.
Kongresi amerikan miratoi në fund të vitit 2025 një mekanizëm sigurie sipas të cilit numri total i forcave të vendosura përgjithmonë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Evropiane nuk duhet të bjerë nën 76 000 për më shumë se 45 ditë. Pas kësaj periudhe, kërkohen procedura të caktuara raportimi për të vijuar me reduktimin e trupave. /Ad.Ab./