E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA – Kinë, në kërkim të pikave të përbashkëta



UASHINGTON - Presidenti Hu Gjintao ndodhet në Uashington për një vizitë shtetërore që disa analistë politikë thonë se do të jetë më e rëndësishmja në 30 vjet. Marrëdhëniet mes dy fuqive botërore janë bërë gjithnjë e më të ndërlikuara dhe zyrtarët pritet të përpiqen të gjejnë një emërues të përbashkët për mënyrat e konsolidimit të ekonomisë botërorë si edhe të zgjidhin mosmarrëveshjet për cështje që nga Koreja e Veriut e deri tek të drejtat e njeriut dhe vlera e monedhës kineze. Presidenti i Kinës Hu Gjintao e bëri vizitën e fundit shtetërore në Shtetet e Bashkuara në prill 2006 kur president ishte Xhorxh Bushi. Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar.

Kina i ka zënë vendin Japonisë si vendi i dytë me ekonominë më të madhe dhe i ka shpëtuar krizës financiare globale pothuajse pa pasoja. Ndikimi ndërkombëtar i Kinës po rritet, ka një forcë ushtarake gjithnjë e më në rritje dhe zëri i saj po ndihet më shumë në arenën botërore. Viti i kaluar u karakterizua nga lidhje të tensionuara, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini u përplasën për cdo gjë që nga vlera e monedhës së Kinës, tek mosmarrëveshjet tregëtare, të drejtat e njeriut dhe Koreja e Veriut. Shumë çështje janë ende të pazgjidhura dhe analistët thonë se nuk është realiste që të presësh arritje të mëdha gjatë vizitës së zotit Hu në Uashington.
“Në një farë mënyrë suksesi do të ketë të bëjë me përmirësimin e atmosferës. Do të jetë gjithashtu mesazhi për të dyja vendet se nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie antagoniste dhe së ka vend për bashkëpunim dhe se të dyja palët e kuptojnë që kjo është rruga e vetme për të ecur përpara”, thotë eksperti i shkencave politike Kristofer Hjuz i Fakultetit të Ekonomisë dhe Marrëdhënieve Politike të Londrës. Veçanërisht kur bëhet fjalë për opinionin publik në Kinë, ndjesitë e të cilit janë shumë komplekse, shumë nacionaliste, një rritje e militarizmit në disa zona, duhen bërë përpjekje për ta qetësuar këtë lloj toni. Dhe nga ana e Shteteve të Bashkuara, duhen bërë përpjekje që të ndryshojë perceptimi për Kinën si një kërcënim në rritje”, shton ai.

Ky është pikërisht mesazhi që zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përpjekur të dërgojnë para fillimit të vizitës. Në një intervistë me gazetën the Ëashington Post dhe Ëall Street Journal, Presidenti Hu theksonte se të dyja palët do të përfitonin nga një marrëdhënie e konsoliduar dhe do të humbnin nga mosmarrëveshjet.
Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin fuqizimin e Kinës si kërcënim dhe nuk janë të interesuara të kufizojnë rritjen e Pekinit. “Amerika dhe Kina kanë arritur në një pikë kritike, një kohë kur zgjedhjet që bëjmë, sit ë vogla edhe të mëdha do të përcaktojnë drejtimin e kësaj marrëdhënieje”.
Një nga drejtimet ku Shtetet e Bashkuara mendojnë se Kina duhet të bëjë më shumë për të përmirësuar marrëdhëniet është tregëtia. Megjithëse eksportet amerikane në Kinë po rriten, shifrat e shkëmbimeve tregëtare tregojnë se deficiti amerikan me Kinën gjatë vitit të fundit pritet ta kalojë rekordin prej 268 miliardë dollarësh në vit, që ishte vendosur në vitin 2008. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë folur vazhdimisht për rritjen e kërkesës së brendshme në Kinë dhe për krijimin e një mjedisi më të balancuar. Vizita e zotitr Hu do t’i kushtojë një vëmendje të konsiderueshme lidhjeve të biznesit dhe tregëtisë. Ai do të marrë pjesë në një takim drejtuesish biznesi sot me Presidentin Obama, si edhe do të mbajë të vetmin fjalim politik gjatë vizitës, para nje grupi zyrtarësh qeveritarë dhe udhëheqësish të biznesit. Presidenti i Dhomës së Tregëtisë Tomas Donohju thotë se ndërsa çëshjta e monedhës do të diskutohet, problem kryesor është një qasje më e madhe tek tregjet kineze.
“Ne do të punojmë për këto cështje me një frymë pozitive. Ne do të këmbëngulim që eksportet amerikane të kënë një shans të drejtë, gjë që do të krijonte vende pune. Unë kam qenë shumë i angazhuar në kërë drejtim dhe mendoj se vizita e zotit Hu do të jetë shumë pozitive”.
Të drejtat e njeriut janë një tjetër fushë ku zyrtarët e Shteteve të Bashkuara shpresojnë të ndryshojnë kahjen e marrëdhënieve. Presidenti Obama pritet ta shtrojë këtë cështje kur të takohet me Presidentin Hu. Kina ka reaguar me forcë ndaj dhënies së cmimit Nobel disidentit kinez Liu Shabao dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar për ndërhyrje në punës e saj të brendshme.
Ky takim u jep zyrtarëve amerikanë një mundësi që të shtrojnë shqetësimet për të burgosurit politikë në Kinë dhe cështje të tjera.
Zoti Hu mbërriti në Uashington mbrëmjen e së hënës vonë dhe do të qëndrojë deri sot. Takimet e tij me Presidentin Obama, zyrtarët e qeverisë dhe drejtuesit e biznesit do të mbyllen me një darkë shtetërore. Darka e fundit shtetërore për një udhëheqës kinez u mbajt para 13 vjetësh.

Tre dorëheqje godasin qeverinë e re tuniziane

TUNIZ - Qeveria e re tuniziane e bashkimit kombëtar është goditur nga të paktën tre dorëheqje, vetëm një ditë pas formimit të saj. Tre zyrtarët që dihet se kanë dhënë dorëheqje, kanë lidhje të forta me lëvizjen e sindikatave. Ndërkaq kanë vazhduar përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë gjatë një demonstrate në qendër të kryeqytetit. Në Tunizi ka ende shumë njerëz, që janë të kenaqur që është njoftuar një qeveri bashkimi, por nga ana tjeter ata kanë dyshime, sepse kjo qeveri ka në përbërje shumë figura të administratës së vjetër autoritare. Disa udhëheqës të opozitës në mërgim njoftuan se do të ktheheshin në vend.
Megjithatë pati njoftime se disa të tjerë ishin tërhequr nga qeveria e bashkimit.
Një tjetër demonstratë në qendër të Tunizit nisi në mënyrë paqësore, me njerëzit që vinin lulet tek tanket dhe përqafonin ushtarët, pikërisht në sheshin ku ditë më parë ata luftuan me shërbimet e sigurisë. Por me rritjen e demonstratës, policët e ndërhyrjes së shpejtë u vendosën në shesh, duke shtirë me gaz lotsjellës dhe duke rrahur protestuesit.
Kjo gjë tregoi se në këtë vend disa janë ende duke penguar rrugën e reformave.

SHKURT
Presidenti në detyrë i Kosovës në Strasburg

PRISHTINË - Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka udhëtuar drejt Strasburgut për një vizitë tre ditore. Sipas burimeve të presidencës, Krasniqi, njëherësh kryetar i Kuvendit do të takohet me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe do të bisedojë për zhvillimet post-zgjedhore në Kosovë, standardet e procesit të 12 dhjetorit dhe negociatat për qeverinë e re. Në agjendë do të jenë edhe ecuria e procesit të liberalizimit të vizave për shqiptarët e Kosovës në zonën Shengen.

OSBE, kritika Hungarisë për ligjin e mediave

SOFIE - OSBE-ja i ka tërhequr vërejtjen Hungarisë se ligji për mediat do të minojë pluralizmin e shtypit në këtë vend. Dunja Mijatoviç, e ngarkuar me lirinë e mediave në OSBE, thekson se përbërja vetëm nga anëtarë të partisë në pushtet në Këshillin për Media është "problematike". Ligji parasheh ngritjen e Këshillit të Mediave, i cili ka të drejtën të ndërhyjë në përmbajtjen e mediave si dhe të vendosë gjoba.

Aksidenti, polakët shtojnë akuzat për Rusinë

VARSHAVË - Kontrollorët rusë të trafikut ajror kanë keqorientuar aeroplanin presidencial polak, që u rrëzua në 10 prill të 2010-ës. Në atë aksident humbi jetën presidenti polak me bashkëshorten dhe 95 zyrtarë të lartë të Polonisë. Zyrtarët polakë kanë bërë publike një regjistrim të kontrollorëve rusë, të cilët dëgjohen të thonë se dështuan për ta informauar aeroplanin polak se ishte jashtë trajektores. Hetuesit rusë në raportin e tyre shkruajnë se ekuipazi i aeroplanit presidencial polak ishte nën presionin e zyrtarëve më të lartë.

19 Janar 2011

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›