Akuzat, shfajësimi i Dik Martit
Dik Marti, emri më i përfolur në të gjitha qarqet mbarëshqiptare, ka folur për raportin dhe akuzat e ngritura që kanë shkaktuar ethe të nxehta dhe reagime të forta nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi, por edhe mbarë Europa. Ai ka sqaruar raportet me shqiptarët dhe detajet e dokumentit që pritet që votohet në sesionin e dimrit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Më poshtë, jepet në mënyrë të shkurtuar intervista prej rreth 20 faqesh që Marti i dha agjencisë së lajmeve albinfo.che që drejtohet nga një ekip gazetarësh shqiptarë me banim në Zvicër.
Raporti juaj shkaktoi polemika të shumta, dhe në vend që të shuhen, ato vazhdojnë të shtohen, në lidhje me akuzën sipas së cilës përgjegjësit politikë kosovarë janë të përfshirë në trafikimin e organeve. Por para se të hyjmë në thelbin e debatit, në hyrjen e raportit tuaj, ju i referoheni Rezolutës 1244 të OKB-së. Ndërkaq, ajo (rezoluta) nuk përbën më ndonjë referim as edhe për Beogradin. Për më tepër, në verën e vitit 2010, me kërkesë të shtetit serb, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës dha mendimin e saj, duke vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Pyetja jonë është kjo: Pse nuk flitet në raportin tuaj për GJND, dhe as lidhur me nocionin e Shtetit të Kosovës; përveç kësaj, ju flisni për administrim të kosovarëve?
Në radhë të parë, më lejoni t’ju falenderoj që më dhatë mundësinë që t’iu drejtohem qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës dhe të Shqipërisë, shqiptarëve në përgjithësi. Kështu unë jam shumë mirënjohës për rastin që më jepet, sepse mendoj se është e nevojshme që disa pohime dhe përshtypje të korrigjohen. Ky raport dhe veprimtaria ime, dhe për këtë ju siguroj, nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet kuptuar kurrë si diçka kundër bashkësisë kosovare, ose kundër bashkësisë shqiptare. Në të kundërtën, unë mendoj se jam përpjekur të bëj një punë që më ishte kërkuar. Nuk e kërkova unë këtë mandat, por u ngarkova për ta kryer atë. E bëra me ndërgjegje të plotë. E di se kërkimi i së vërtetës mund të shkaktojë dhembje, mirëpo kurrë nuk kam pasur për qëllim të kritikoj, dhe aq më pak ta kriminalizoj një bashkësi. Kam shumë miq dhe të njohur kosovarë dhe shqiptarë. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe Zoti e di por unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem me ndonjërin nga Kosova apo Shqipëria. Kam pasur vetëm marrëdhënie respekti dhe miqësie.
Por, pikërisht, Z. Dick Marty, pjesa më e madhe e kritikave vijnë nga qarqet politike, por edhe nga shoqëria civile kosovare dhe qarqe të ndryshme. Pra, sipas jush, a është i justifikuar mendimi politik kosovar dhe shqiptar që ka shprehur dyshime serioze lidhur me paanshmërinë tuaj?
Mendoj se edhe këtu është një keqkuptim. Unë kam shprehur vetëm kritika të natyrës esencialisht juridike. Më pati ardhur shumë keq që ndërhyrja e NATO-s nuk qe kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, domethënë me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit.
Është aq e vërtetë sa që Zvicra pati ndaluar fluturimin e aeroplaneve mbi territorin e saj, sepse kjo nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kur e them këtë, unë isha gjithashtu i bindur se duhej ndërhyrë në Kosovë. Se politika kriminale dhe e marrë e Milosheviçit, e pastrimit etnik, ishte krejtësisht absurde. Ja përse unë mendoja, dhe mendoj përsëri, se nëse do të ishin bërë gjërat në mënyrë të qartë nga pikëpamja juridike, do të kishim pasur shumë më pak polemika.
Përsa i përket pavarësisë, unë nuk e kam kundërshtuar asnjëherë pavarësinë si të tillë, kam kundërshtuar dhe kritikuar nga pikëpamja juridike, duke u mbështetur në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, bazuar mbi vlerësimet juridike të profesorëve të njohur ndërkombëtarisht, që na patën dëshmuar se mënyra se si ishte shpallur pavarësia nuk ishte krejtësisht korrekte. Dhe unë mendoj, se nëse kjo pavarësi, të cilën nuk e kundërshtoj si të tillë, po të ishte përgatitur ndoshta më mirë, ne do të kishim shumë më pak probleme dhe ndoshta popullsia kosovare do të kishte mundur të jetonte më mirë. Pra, unë vura për diskutim dhe kritikova kushtet e veçanta dhe jo thelbin. Përveç kësaj, një nga kritikat e mia mbi modalitetet e veçanta, fatkeqësisht, u dëshmua.
Unë kisha thënë se kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, sepse do të ketë nga ata që do t’i referohen këtij precedenti. Kjo ndodhi me Abkazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat, me të drejtë ose pa të drejtë, iu referuan këtij precedenti. Mirëpo, po e përsëris, nuk është pavarësia si e tillë, por unë kritikova mënyrën se si u vendos ajo. Do të kisha preferuar më tepër që të jenë kosovarët ata që do të kishin vendosur vetë, dhe jo që ky vendim të ishte marrë nga Uashingtoni, Berlini apo Parisi.
Gjithashtu, jam po ashtu paksa kritik për këtë gjendje perfuzioni që ekziston tani me ndërkombëtarët në Kosovë. Mendoj se kosovarët do të ishin në gjendje të bënin shumë më shumë gjëra vetë dhe atje do të kishte më pak efekte negative se sa me këtë prani të madhe ndërkombëtare.
Me të vërtetë ju keni thënë se deklarata e Pavarësisë nuk ka qenë vendosur në Prishtinë, por në fund të fundit ajo çoi në një seri marrëveshjesh ...
Dëgjoni. Unë nuk e vë më Pavarësinë në diskutim. Ajo nuk përbën më temë për mua. Kosova e pavarur, unë do të uroja që ajo të jetë me të vërtetë e pavarur. Që të mund të ecë me këmbët e veta, dhe për mendimin tim, kjo nuk vihet më aspak në dyshim. Për mua, ishte çështja e modaliteteve të atij moment, të çështjes së nxitimit të Zvicrës në lidhje me njohjen e saj dhe që është në kundërshtim me praktikën që ajo kishte ndjekur deri më tani, kjo ishte e gjitha. Unë jam realist: kosovarët e duan padyshim pavarësinë dhe besoj se tani duhet respektuar kjo pavarësi. Për mua, ky është një kapitull i mbyllur dhe duhet të them se ai nuk ka të bëjë aspak me këtë raport. Unë kam bërë një raport tjetër tejet kritik për Rusinë dhe politikën e saj në Kaukazin e Veriut; megjithatë nuk do të thotë se mbajta një qëndrim në favor apo kundër pavarësisë së Çeçenisë. Kjo nuk është detyra ime. Detyra që m’u caktua është një detyrë që shkon në drejtim të respektit të parimeve të Konventës Evropjane të të Drejtave të Njeriut, kjo është e gjitha.
Meqenëse flisni për Rusinë, a është e vërtetë se autori i mocionit, që ishte pikënisja e këtij raporti, është një deputet rus, me emrin Konstantin Kosachev?
Z. Kosachev ishte një nga nënshkruesit e këtij mocioni. Mirëpo, që mocioni të jetë i vlefshëm, ai duhet të nënshkruhet nga 20 deputetë dhe duhet të përfaqësojë, në mos gaboj, pesë vende të ndryshme. Pra, ishin deputetë të partive dhe vendeve të ndryshme që e firmosën ate. Midis të tjerash, ju informoj, se unë nuk e firmosa atë.
Mirëpo, a ishtë ai nismëtari i këtij mocioni?
Nuk e di nëse ai ishte iniciatori. Mua nuk më është kërkuar kjo dhe nuk isha në dijeni të kësaj nisme. Procedura është kjo. Kur ka një mocion, ai shqyrtohet nga zyra e Asamblesë, e cila vendos për vlefshmërinë e tij. Në këtë rast, ajo vendosi që ai ishte i vlefshëm dhe ia kaloi Komisionit të Çështjeve Juridike të të Drejtave të Njeriut. Ky komision duhet të caktojë një raportues dhe ai vendosi të ma ngarkonte mua këtë raport. Duhet të ju them se nuk isha patjetër i entuziazmuar me këtë, dhe mund të ju siguroj se nuk isha unë që shkova ta kërkoja këtë punë.
Meqenëse po flasim për këtë raport, propozoj që të futemi në thelbin e çështjes. Më parë, ka pasur dy raporte të GJPN dhe të EULEX-it mbi ish-Jugosllavinë. Dy anketa që u realizuan në bazë të thënieve mbi trafikun e organeve. Çfarë sjell më tepër raporti juaj, në lidhje me atë që është bërë deri tani?
Të flasësh për hetimin e GJPN dhe të EULEX-it, në lidhje me këto raste, është e tepërt të pretendohet se bëhet fjalë për hetim. Në vitin 2002 apo 2003, GJPN kishte një mision në “Burrel” dhe në këtë kuadër, ajo mblodhi një numër provash teknike, si gjurmë gjaku, ilaçe, etj., dhe nuk ka pasur asnjë vazhdim pas kësaj vizite atje. Bile, këto prova, që sot do të mund të shfrytëzoheshin në suazat e një hetimi të vërtetë, janë asgjësuar, gjë që është mjaft e çuditshme. Sepse unë nuk njoh asnjë autoritet gjyqësor, asnjë ministri publike, e cila, edhe në rastin kur ajo pranon se nuk është kompetente, asgjëson, për më pak se dy vite, elemente të provave që mundeshin të ishin, në të ardhmen, thelbësore. Pra, thënë shkurt, nuk ka pasur kurrë ndonjë hetim të vërtetë mbi këto ngjarje. Gjithashtu, sepse Shqipëria, dhe këtë ma kanë thënë ministri i drejtësisë dhe ai i punëve të brendshme i Shqipërisë, ishte e mendimit se nuk kishte asnjë arsye për të hapur një hetim mbi ngjarjet eventuale që kanë mundur të ndodhin në territorin e saj, sepse ajo vlerësonte se nuk ishte pjesë e konfliktit të ish-Jugosllavisë dhe nga ky fakt, ajo nuk shihte se në emër të cilit motiv duhej të hapte një hetim.
Sot ne jemi në dijeni dhe EULEX-i është duke e dëshmuar, ekziston një akt akuzimi, se një kamp sekret i të burgosurve mbahej në territorin e Shqipërisë së veriut nga ana e forcave të UÇK-së. Gjithashtu, edhe këtu, më lejoni të ju them se nëse lexohet me kujdes raporti im, nuk është UÇK, si e tillë që kriminalizohet apo kritikohet. Bile, dua të theksoj se ka anëtarë të UÇK-së që u angazhuan në mënyrë të lakmueshme për atdheun e tyre. Nuk besoj se mund të konsiderohet UÇK-ja si një ushtri e strukturuar, në kuptimin klasik, me një gjeneral etj. Mirëpo, për mendimin tim, ka pasur abuzime dhe krime që janë kryer nga disa grupe, të cilat, sipas mendimit tim, duhet të jenë objekt i një hetimi. Ajo që kam sjellë unë në këtë raport nuk është në fund të fundit diçka shumë e re. Qoftë UÇK-ja, disa forca të UÇK-së, apo z. Thaçi, të gjithë tashmë kanë qenë të cituar në shumë raporte të shërbimeve informative, në studime që janë realizuar, ose edhe në artikuj të hartuar, apo nga një hulumtim i detajuar i BBC-së. Pra, ajo që ne arritëm të bëjmë në kërkimet tona, ishte se na u dha mundësia të gjejmë dëshmitarë shumë të besueshëm që kanë mundur të japin hollësira që figurojnë në raport. Por, ne nuk jemi një autoritet hetimi dhe akoma më pak gjykimi. Ne jemi një autoritet denoncimi. Ne denoncojmë dhe kërkojmë që të kryhen hetime për ngjarje që tregojnë indicje për shkelje të rënda të të Drejtave të Njeriut. Dhe, ne e kemi bërë këtë në shumë raste....
Pikërisht, juve ju qortojnë për faktin se sillni shumë akuza të rënda dhe të ashpra, kurse dëshmitë për t`i mbështetur ato ju mungojnë. Ndjenja e përgjithshme është se raporti juaj i ngjan një gjykimi, para hetimit juridik.
Jo! Duke cituar shumë burime dhe dokumente, unë them se ka aq indicje, pa i harruar dëshimtarët që kam dëgjuar që rrëfejnë ngjarjet, dhe nuk mund të shtiresh se nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, duhet bërë një hetim. Ndërkaq, unë konstatoj se autoritetet gjyqësore të rajonit, fatkeqësisht nuk janë në gjendje t`i mbrojnë dëshmitarët. Dhe për këtë arsye, dëshmitarët nuk flasin. Ju e dini shumë mirë se ka dëshmitarë që janë kanosur apo vrarë....
Më duket se reagimi i drejtë është të thuash: Ju bëni akuza shumë serioze, tani duam që autoritetet kompetente të bëjnë gjithçka që është e mundur që të zbardhet e vërteta. Sepse e vërteta është në interes tonin. Ka shumë shembuj, bile edhe në Zvicër, me të mirat dhe pasuritë e lëna nga hebrenjët në bankat tona. Për vite të tëra ne u bëmë sikurse nuk e shihnim këtë problem ndërsa historia ne na kapi shumë kohë pas luftës. Dhe kjo i shkaktoi shumë dëm vendit tonë....
Por raporti juaj, megjithatë, u fillua pas botimit të librit të ish-prokurores së GJPN, zonjës Karla del Ponte. Lidhur me këtë, zëdhënësja e saj, zonja Florence Hartmann, i cilëson fjalët e saj të papërgjegjshme, sepse ajo paraqet si fakte të sigurta hipoteza të thjeshta. Duke e ditur se raporti juaj bazohet mbi këtë libër, shqiptarët e Kosovës kanë përshtypjen se ju u kërkoni atyre ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, sepse ju nuk keni mundur ta dëshmoni fajësinë e tyre.
Zotëri, unë jam në fund të karrierës sime politike dhe jam pak a shumë i moshuar, për të mos thënë njëfarë moshe. Kam shërbyer në tri fusha të shtetit: drejtësi, ekzekutiv dhe tani në ligjvënie. Ju nuk do të mendoni vallë se unë do të rrezikoj të hedh poshtë karrierën time duke shkruar një roman në vend të një raporti. Unë besoj në një ndërgjegje dhe aftësi profesionale. Për më tepër se 15 vite kam qenë prokuror dhe jam marrë sidomos me kriminalitetin e organizuar ndërkombëtar. Ndërkaq, kam marrë dy çmime nderi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dhe kjo nuk është për t’u mburrur, por për të dëshmuar njëfarë aftësie që e zotëroj. Unë e di se si duhet pyetur një dëshmitar, se nuk duhet të bazohesh në një deklaratë të vetme dhe se duhen bërë prova të kryqëzuara.
Mirëpo, nëse e lexoni me kujdes raportin tim, unë nuk them në asnjë rast se z. Thaçi është i implikuar drejtpërdrejt në një trafik organesh, por them se njerëz shumë të afërt të z. Thaçit janë të implikuar.
Pra, është e vështirë të mendosh se ai nuk ka dëgjuar kurrë për to. Për ndryshim nga zonja Karla del Ponte, unë saktësoj shumë aspekte. Nuk them se bëhet fjalë për qindra transplantime të paligjshme. Flas vetëm për një grusht rastesh.
Po, por e përmendni tërthorazi...
Por, është e shkruar. Unë nuk kam shkruar të kundërtën. Besoj se mjafton që të vërtetat duhet deklaruar njëherë. Kur fillon të deklarosh shumë shpesh një të vërtetë, kjo fillon të bëhet e dyshimtë. E gjithë kjo për të thënë se unë do të uroja që dikush që është profesionist të përkthejë këtë raport. Sepse ky raport nuk është lexuar nga 99,9 % e njerëzve që janë sot të indinjuar. Janë lexuar vetëm disa pjesë nga shtypi.
Të një shtypi që anon dhe që ka nxjerrë vetëm disa pjesë të këtij raporti. Ndërkaq, ky raport shfrytëzohet sot nga qarqet e dy palëve nacionaliste. Nga serbët, gjë që më zemëron shumë si dhe nga nacionalistët e Kosovës. Fakti që është shfrytëzuar nga të dy anët, flet pothuajse në favor të raportit.
Raporti është shumë i ashpër ndaj serbëve, nuk ka asnjë komplicitet apo mirëkuptim për krimet e tmershme të kryera nga serbët. Por krimet e kryera nga serbët nuk mund të justifikojnë disa krime të kryera po ashtu nga disa kosovarë dhe jo nga kosovarët, por nga disa kosovarë. Një krim nuk mund të kompensojë tjetrin....
Gjithashtu, mendoj se këto krime duhet po ashtu qartësuar. Kam takuar prindërit e viktimave të zhdukura, si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë. Çdo herë jam tronditur, sepse e di se çfarë do të thotë humbja e një fëmije, veçanërisht kur nuk di gjë se çfarë ka ndodhur. Në këto raste, nuk është e mundur të mbahet zija. Pra, unë mendoj se raporti meriton një lexim më të sinqertë dhe kjo edhe nëse kam bindjen se nuk është e lehtë dhe se kam dëshirë t’u pohoj se kam njëfarë mirëkuptimi përballë këtyre reagimeve. Jam i sigurt se koha do të jetë në favor të një kuptimi më të mirë të këtij raporti.
Por, pak më herët përmendët përfshirjen e supozuar të z. H. Thaçi në trafikun e supozuar të organeve. Por, deputetët e Zvicrës që mbështesin raportin tuaj, presidenti i të Gjelbërve, si dhe deputetë të tjerë po aq të respektuar, janë treguar mjaft skeptikë në lidhje…
Unë ju përsëris nëse lexoni me vëmendje, ju kuptoni se nuk përfshij drejtpërdrejtë z. Thaçi me trafikun e organeve. Aty përmenden emra të caktuar, dhe jo emri i z. Thaçit. Mirëpo, ajo që themi është se këta persona në fjalë janë në rrethin e z. Thaçit. E dini se Z. Thaçi kishte përgjegjësi të mëdha në kuadër të UÇK-së dhe brenda këtij grupi. Nuk e imagjinoj dot z. Thaçi duke marrë pjesë personalisht në nxjerrjen e organeve.
Përsëri, edhe pse duket se te gjithë janë përqendruar në faktin e heqjes së organeve, e vërteta është se ka me qindra persona që nuk i përgjigjen thirrjes, dhe se kemi humbur gjurmët e tyre, ndërsa indicje të shumta tregojnë, dhe këtë e konfirmon EULEX-i, se ata kanë shkuar në drejtim të Shqipërisë. Në mes të të zhdukurve nuk ka vetëm serbë, po edhe kosovarë.
A vlen rregulli i prezumimit të pafajësisë edhe për z. Thaçi, sepse nëse e lexojmë shtypin e këtushëm…
Por nuk bëhet fjalë për një dënim, po për një denoncim eventual. Ky nuk është një dënim. Më në fund duhet që dikush të bëjë hetim, gjë që nuk është bërë deri tani. Edhe pse ka pasur botime të shkrimeve që flisnin për krim të organizuar në lidhje me disa qarqe të UÇK-së.
Kështu që prej vitit 1999, ka pasur artikuj në Neë York Times, një tjetër në Guardian i cili bazohej në një raport të FBI-së, ka pasur një raport të shërbimeve informative të Gjermanisë, të Greqisë, të Italisë, dhe të Qendrës Evropiane të studimeve të Berlinit, etj. Më në fund, befasohem që skandali që po ndodh sot nuk ka ndodhur më herët.
Në Zvicër, z. Alain de Ëeck, një person shumë i njohur në fushën e transplantimit të organeve, ka shprehur dyshime të thella për përmasën e akuzave dhe sugjeron që të rishikohen me një prizëm tjetër akuzat për masakra në shkallë të madhe.
Po, duhet. Flas për një grusht personash. Duhet të lexohet raporti im. Kush ka përmendur, si në Kosovë po ashtu në Shqipëri, se unë flas për një grusht rastesh. Askush. Bile, jo vetëm në Kosovë.
Ka pasur media të tjera që kanë raportuar se në kundërshtim me zonjën Del Ponte, z. Marty flet vetëm për një grusht rastesh. Dhe ju e dini, se trafiku i organeve, në modalitete tjera, ka vazhduar nën hundën e ndërkombëtarëve, madje edhe në Prishtinë. Dhe se kryesisht të njëjtat rrjete janë në veprim.
Sepse, prej momentit kur organi del nga vendi, ai kalon në dorën e rrjeteve ndërkombëtare. Trafiku i organeve përbën një ndër plagët e mëdha të kësaj bote, kundër të cilit mendoj se nuk është bërë mjaft.
Sot, terrorizmi shikohet si armiku numër një, ndërsa kemi të bëjmë me fenomene që bëjnë më shumë viktima. E kam fjalën për trafikun e armëve, drogës, qenieve njerëzore, trafikimin e fëmijëve si dhe trafikimin e organeve. Trafiqe kundër të cilëve nuk japim më shume se një të dhjetën e energjisë që shkon kundër terrorizmit që shkakton shumë më pak viktima...
....Reagimet e klasës politike kosovare dhe shqiptare kanë qenë jashtëzakonisht kritike ndaj këtij raporti dhe kanë shqiptuar fjalë të rënda ndaj juve.
Mendoj se reagimet kanë qenë të tepruara dhe se kanë pasur po ashtu edhe motivime politike. Ju e njihni rregullën politike e cila vlen për të gjitha shtetet. Ajo që thotë se armiku i jashtëm ndihmon gjithmonë për të mobilizuar trupat e brendshme, dhe mundëson harresën e problemeve të shumta të brendshme. Kështu unë u bëra ai dashi i kurbanit, kurse mendoj se problemet nuk janë të miat por ato gjendën atje brenda, dhe atje duhet të zgjidhen. Sepse këto akuza ekzistojnë prej një kohe të gjatë, dhe po të kishin dashur të gjejnë të vërtetën do duhej të jetë bërë më parë, dhe jo të prisnin raportin tim. Ka pasur shumë manifestime gjatë të cilave flitej për krim të organizuar, për përfshirje të njerëzve të pushtetit në këto organizata. Përse më herët, askush nuk ka kërkuar t'i nxjerrë në dritë të gjitha këto më herët.
E përsëris, se nuk kam kërkuar një punë të tillë sepse nuk kam pasur asnjë arsye për ta refuzuar. Kurrë nuk kam hequr dorë nga detyrimet e mia, ju siguroj se kohët e fundit kisha pasur dëshirë të bëj diçka më të dobishme....
A ka raporti juaj pasoja në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga pjesa tjetër e Bashkësisë ndërkombëtare ?
Nuk e di. Nuk mendoj sepse ky proces do të ishte kryer deri më tani. Jam i mendimit se nëse ka pasur pengesa më herët, ky raport nuk ka ndikim në pengesat në fjalë sepse ato ekzistonin më herët. Ka vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe raporti nuk do të ndryshojë ndonjë gjë. Mirëpo, ajo për të cilën jam i bindur, se po ta kishim përgatitur më mirë pavarësinë, jam i sigurt se Kosova do të ishte sot anëtare e Këshillit të Evropës si dhe e institucioneve ndërkombëtare. Kjo është kritika ime kryesore dhe mbi këtë pikë jam i keqkuptuar. ....
Do të thotë se nuk ka asnjë prapavijë politike mbrapa raportit tuaj?
Jo ! Nuk jam instrument i askujt. Më kanë kritikuar, dhe me të drejtë, se jam më shumë vetjak. Jam një anëtar i keq i partisë, sepse në qoftë se nuk pajtohem me partinë time unë nuk i jap votën time. Unë votoj sipas mendimit tim, dhe të gjithë mund ta dëshmojnë këtë. Kështu që nuk jam instrument i askujt. Edhe një herë, nuk kam absolutisht asgjë përveç simpatisë dhe mirëkuptimit për kosovarët. Në vitin 1999, kam shkuar enkas për të vizituar kampet e refugjatëve në Shqipëri, dhe isha aq i pikëlluar sa që i kisha sytë me lot. Pasi u ktheva, shkruajta një artikull mbi çfarë kisha parë. Ajo që më ka prekur ishte mikpritja e jashtëzakonshme e popullit shqiptar të cilët ishin të varfër dhe mbanin në shtëpitë e tyre kushërinjtë e tyre kosovarë, për shkak se nuk kishte mjaft vende në kampe.
Besoj se e kam shkruar një fjalë mbi faktin se kisha parë me sytë e mi se çfarë kishte ndodhur. Kush e ka përmendur këtë? Askush.....
Shënim: Intervista është marrë nga faqja e internetit: albinfo, e cila drejtohet nga gazetarë shqiptarë me banim në Zvicër. Përkthimi dhe përgatitja në shqip është bërë nga Vjosa Gërvalla, Blerim Shabani dhe Sevdail Tahiri
Kush është Dick Marty?
Dick Marty është me origjinë nga Tessina. Është këshilltar në Këshillin e Kantoneve (i përbërë nga përfaqësues të Kantoneve të Zvicrës). Më parë, ka qënë Këshilltar Shteti. Gjithashtu, ai ka pasur një karrierë të rëndësishme si Prokuror i Përgjithshëm dhe parapëlqen veçanërisht dosjet e ndjeshme, siç ka qenë për shembull raporti mbi burgjet sekrete të CIA-s, i bërë publik më 2006. Qëndrimi i tij shkaktoi përplasje mes SHBA-ve dhe Zvicrës, gjë që dëshmohet edhe në dokumentet e botuara së fundi nga faqja e Assange, Uikiliks.
Prej vitit 2010, është kryetar i Këshillit të Universitetit të Neuchatelit si dhe është emëruar kryetar i Asamblesë Ndër-jurasiene, një punë që nuk është e lehtë në konteksin e Zvicrës.
19 Janar 2011