Meta: “Rama po mobilizon elementë kriminalë për 21 janarin”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, se po mobilizon elementë me precedentë kriminalë për të krijuar trazira gjatë demonstratës së 21 janarit. Meta madje tha se ka të dhëna nga qytete të ndryshme të vendit për krijimin e trazirave. Ai tha se këto të dhëna do t’ia japë edhe Policisë së Shtetit, ndërsa i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga organizimi i protestave të dhunshme. Meta gjithashtu i bëri thirrje Ramës që t’i kthehet rrugës së dialogut dhe të mendojë për reformën zgjedhore, si një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar.
Trazirat
“LSI-ja, përmes strukturave të saj në disa rrethe të vendit, sidomos nga Vlora, Shkodra e Laçi, nga Durrësi, nga Fieri, ka të dhëna për të cilat do të informohet edhe Policia e Shtetit për apelin që i është bërë nga përfaqësues të Edi Ramës dhe strukturave të tij ilegjitime, elementëve të inkriminuar, elementëve që i fshihen drejtësisë, elementë me precedentë penalë, për t’u mobilizuar më 21 janar me të gjithë arsenalin për të shkaktuar turbullira me qëllim gjoja marrjen e pushtetit në emër gjithnjë të popullit”, - është shprehur Meta, ndërsa i ka bërë thirrje Ramës të heqë dorë nga kërcënimet për dhunë. “Edhe njëherë dua t‘i bëj të qartë Edi Ramës të heqë dorë nga marrëzira të tilla, të heqë dorë nga kërcënimet që bën ndaj rendit kushtetues në vend, të mos qëndrojë peng i bandave, sikurse tashmë është konfirmuar qartë nga të gjithë”, - është shprehur Meta, ndërsa ka shtuar se “deklaratat e Ramës për të nxitur popullin janë tregues i dëshpërimit pa fund ku ndodhet kryetari i opozitës për të mbajtur pozicionin e kryetarit të Bashkisë”. Meta u bëri thirrje organeve të shtetit që të marrin të gjitha masat për të ruajtur qetësinë, por edhe për të mbrojtur institucionet. Sipas Metës, thirrja e një dite më parë e Edi Ramës është prova më e mirë për çdo incident që mund të ndodhë dhe përgjegjësia e do të jetë e tij.
Zgjedhjet
Gjatë fjalës së tij Meta i ka bërë thirrje Ramës të nisë dialogun për reformën zgjedhore dhe të heqë dorë nga kthimi i Grupit Parlamentar të PS-së në një bandë. “T’i kthehet dialogut, të punojë për reformën zgjedhore, sikurse është edhe apeli i fundit që vjen nga komuniteti ndërkombëtar dhe njëkohësisht të gjithë e keni parë se si edhe Grupin Parlamentar e shndërroi në bandën më të freskët të vendit, që mund të quhet banda parlamentare, e cila në vend të dialogut, në vend të propozimeve alternative ndaj qeverisë, zgjodhi të shndërrohej në një bandë parlamentare me qëllim prishjen e seancave të Parlamentit, me qëllim prishjen e funksionimit të Parlamentit”, - është shprehur Meta.
Sipas Metës, pavarësisht thirrjeve të Ramës, “nuk është në natyrën e socialistëve shqiptarë që të përkrahin një alternativë të tillë, nuk është në moralin dhe bindjet e qytetarëve të Shqipërisë që të përkrahin aventurierë të tillë, të cilët flasin në emër të popullit, por veprojnë nën interesin e bandave”.
Talio
Tahiri
PS-ja zbardh sloganin e demonstratës: “Sali, dorëzo bllokun!”
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, u bëri dje thirrje qytetarëve që t’i bashkohen demonstratës së 21 janarit, e cila, sipas tij, duhet të shënojë momentin kur shqiptarët marrin në dorë shtetin e tyre. “Kjo nuk është një demonstratë për pushtetin e socialistëve, por një protestë kundër provokimeve të përditshme ndaj qytetarëve, prej pushtetarëve”, - është shprehur Tahiri, ndërsa ka shtuar se Partia Socialiste është e shqetësuar për provokimin e përditshëm që kjo qeveri po i bën çdo shqiptari të ndershëm në këtë vend.
Ndërkaq, selia rozë, gjatë ditës së djeshme ka bërë publike sloganin e demonstratës së 21 janarit, që do të jetë “Sali, dorëzo bllokun!”. PS-ja gjithashtu njoftoi se demonstrata do të mbahet në orën 14:00 dhe do të jetë e shpërndarë në çdo rrugë të kryeqytetit për të arritur kulmin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Mësohet se në demonstratë nuk do të ketë flamuj të asnjë partie politike, pasi partitë politike nuk do ta drejtojnë demonstratën, do të jenë thjesht pjesë e saj. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, në të gjitha njësitë bashkiake ka filluar lajmërimi derë më derë i qytetarëve për t’iu bashkuar demonstratës së 21 janarit. Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr. 1, Lindita Nikolla, gjatë takimeve që zhvilloi me disa banorë të kryeqytetit, i ftoi ata që të marrin pjesë në këtë demonstratë popullore. “Ju ftoj që në datën 21 të jeni të gjithë bashkë, për t’i dhënë fund kësaj qeverisje, për t’i dhënë fund kësaj kusarie që çdo ditë dhe këdo po vjedh në këtë vend. Ju presim. Do të jemi bashkë”, - është shprehur Nikolla.
Doda: “Montimin e videos mund ta bëjë një njeri si Rama, i lidhur me klanet e krimit”
Partia Demokratike ka reaguar sërish dje ndaj videos së përgjimit duke e akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste si përgjegjës për manipulimin e kësaj videoje. Sipas deputetes së PD-së, Mesila Doda, vetëm një njeri si Edi Rama mund të montonte videon me qëllim inkriminimin e kryeministrit Berisha. “Jam këtu për t’i deklaruar Edvin Kristaq Ramës, bllokmenit çimkë apo zotit 20% se, manipulimi i videos nga ti për të akuzuar kryeministrin e vendit, përbën një akt të rëndë kriminal ndaj rendit kushtetues të vendit. Me këtë vepër të rëndë penale, kreu i bllokmenëve të rinj dëshmon se njëlloj si Kristaq Rama, që firmosi ekzekutimin dhe varjen e Havzi Nelës dhe kundërshtarëve të tjerë politikë, Edvini me dy punonjës të vjetër të Sigurimit të Shtetit, monton, falsifikon video për kundërshtarët e tij politikë”, - është shprehur Doda, ndërsa ka vazhduar me listën e akuzave ndaj Ramës. “Partia Demokratike u deklaron qytetarëve shqiptarë se këtë poshtërsi e bën vetëm një njeri, për të cilin vlerat morale dhe dinjiteti njerëzor nuk ekziston. Një manipulim të tillë e bën vetëm një njeri që nxjerr bashkëshorten dhe veten lakuriq në plazhe publike. Një akt të tillë të shëmtuar e bën vetëm Edvin Kristaq Rama, i cili, sipas akuzës në Gjykatën e Tiranës, të botuar nga vetë miku i tij më i ngushtë, i ka mohuar për dhjetë vjet me radhë djalit të vetëm si atësinë, ashtu dhe kafshatën e gojës. Një akt të tillë të ulët e bën vetëm Edvin Kristaq Rama, që ka persekutuar, rrahur dhe mbyllur në spital psikiatrik nënën e djalit të tij, ka zhveshur lakuriq në plazh gruan që mori pas saj, ka rrahur në publik gruan e tretë, ka degdisur të katërtën pa nam dhe nishan. Njeriu që ka nxjerrë të ëmën në mes të natës të rrahur nga shtëpia”, - është shprehur Doda. Më tej ajo ka bërë të ditur se Rama është i lidhur me klanin e Aldo Bares dhe me klanin Gina. “Në dosjet e hetuesisë shqiptare dhe vendeve përreth është faktuar se Rama me Aldo Baren ndan tenderët dhe drogën, se të tjerë të kanë akuzuar për vrasje dhe marrje të sasive të drogës, e se me klanin Gina e klane të tjera ke ndarë krime monstruoze, drogën, pronat, shtretërit, lejet e ndërtimit dhe tenderët”, - është shprehur Doda.
20 Janar 2011