SHBA- Rusi,diskutime për Gjeorgjinë

Qeveria amerikane është shprehur e shqetësuar për planet ruse për ndërtimin e disa bazave ushtarake në Gjeorgji, duke theksuar se ky plan shkelte marrëveshjet e armëpushimit të vendosura mes Moskës dhe Tbilisit. "Pas luftës së shkurtër me Gjeorgjinë, vitin e kaluar, Rusia ra dakord për t'i rikthyer trupat e saj në rajonet e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë", thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit. "Planet ruse për ndërtimin e bazave në këto dy rajone, pa miratimin e qeverisë gjeorgjiane, do të shkelin marrëveshjet e armëpushimit mes dy vendeve", deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Ud. Në planet ruse të bazave është parashikuar edhe ndërtimi i një baze detare në portin e Oshamshirit. Ndërkohë që presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka theksuar se Rusia nuk përbën kërcënim për Bashkimin Europian dhe NATO-n, dhe që mes palëve duhet të rivendosen marrëdhëniet e besimit. "Nuk mendoj se Rusia përbën një kërcënim për Bashkimin Europian dhe NATO-n. Palët duhet të rivendosin marrëdhëniet e besimit", deklaroi presidenti francez në konferencën për sigurinë, që po zhvillon punimet në Mynih. Teksa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov është shprehur se Moska është e gatshme të shkurtojë arsenalin bërthamor nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje të re ecin përpara. Lavrov tha se është i kënaqur që administrata e re në Uashington po e trajton këtë problem si përparësi.