SHBA, 12 milionë dollarë ndihmë shtesë Sirisë

Presidenti amerikan, Barack Obama miratoi sot dhënien e 12 milionë dollarëve si ndihmë humanitare shtesë për të mbështetur sirianët, të cilët po u bëjnë ballë mizorive të tmerrshme të presidentit Bashar al-Assad.
“Me këtë shtesë, janë në total 76 milionë dollarë për ushqime dhe veshmbathje, ujë dhe barna mjekësore që iu shpërndanë 1.5 milion personave në Siri”, theksoi Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.
“Pas gati 17 muajsh konflikte, situata humanitare është e tmerrshme dhe po përkeqësohet me shpejtësi”, shtoi Shtëpia e Bardhë.
“SHBA përshëndet bujarinë e Turqisë, Jordanisë, Libanit, Irakut dhe vendeve të tjera që mirëpresin dhe ndihmojnë të arratisurit nga mizoritë e tmerrshme të kryera nga regjimi i Bashar al-Assadit”, thuhet në fund të komunikatës.