E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i vendit kandidat, Meta: Duhet pakt kombëtar për integrimin

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, apeloi dje që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të ngrihet menjëherë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe njëkohësisht të miratohen ligjet me shumicë të cilësuar

TIRANË Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga marrja e vendimit për statusin ose jo të vendit kandidat për Shqipërinë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se duhet pakt kombëtar për integrimin. Sipas tij, element thelbësor i 12 prioriteteve janë zgjedhjet, andaj duhet që reforma zgjedhore të mbështetet edhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. “Duke pasur në konsideratë se së shpejti do të kemi një opinion të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, në emër të LSI-së dua të theksoj rëndësinë e angazhimit të të gjitha forcave politike me qëllim pasjen e një vendimi pozitiv për këtë çështje, fati i të cilit qëndron pikërisht në zbatimin e 12 prioriteteve që përbëjnë një plan pune konkret për të gjithë politikën, në mënyrë të veçantë të legjislativit, si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën. Element thelbësor i 12 prioriteteve ishin zgjedhjet dhe tani mbetet reforma e re zgjedhore mbështetur edhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, duke pasur në konsideratë edhe zgjedhjet e fundit vendore”, - tha Meta. Për këtë arsye, ai apeloi për angazhimin e të gjitha forcave politike për realizimin e një pakti kombëtar për integrimin që del jashtë kornizave dhe interesave partiake, me qëllim arrritjen e një momenti pozitiv gjatë dy muajve të ardhshëm. “Ne apelojmë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të ngrihet menjëherë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe njëkohësisht apelojmë që të miratohen menjëherë të gjitha ligjet me shumicë të cilësuar, pasi paketa prej thuajse 16 ligjesh është e gatshme dhe pret vetëm miratimin. Njëkohësisht, ne apelojmë edhe për të plotësuar të gjitha funksionet sikurse është ai i Avokatit të Popullit apo edhe raste të tjera, çka do të tregonte një vullnet pozitiv dhe njëherazi të përbashkët të të gjitha forcave politike, të mazhorancës dhe të opozitës, pikërisht për të hedhur një hap të ri cilësor në raportet e Shqipërisë me Bashkimin Europian”, - tha ai. I pyetur mbi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese, Meta (duke iu referuar edhe ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008) u shpreh se një proces i tillë kërkon një konsensus shumë të gjerë. “...ne kemi qenë edhe jemi për realizimin e ndryshimeve të duhura kushtetuese, por natyrisht që ky është një proces që kërkon një konsensus shumë më të gjerë sesa thjesht vullneti ynë dhe së dyti ky është një proces që natyrisht kërkon një kohë shumë të gjatë dhe kërkon një transparencë dhe një gjithëpërfshirje, jo vetëm të faktorëve të brendshëm, pra të klasës politike, jo vetëm të shoqërisë civile dhe të ekspertëve, por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Sepse ne Kushtetutën që kemi aktualisht, e kemi bërë me asistencën e Komisionit të Venecias dhe të shumë konstitucionalistëve të njohur europianë. Por të kushtëzosh reformën zgjedhore me ndryshimet kushtetuese nuk do të thotë gjë tjetër veçse të përpiqesh të krijosh një alibi për të mos realizuar reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është një domosdoshmëri, është një urgjencë”,- tha ai. Kryetari i LSI-së nuk komentoi edhe mundësinë e përfshirjes sërish në qeveri. Sipas tij, prioritet për muajin shtator mbeten ngritja e komisionit parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore, miratimi i të gjitha ligjeve që kërkojnë shumë të cilësuar votash, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe plotësimi i të gjitha institucioneve të tjera të cilat janë ende vakante.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›