E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Arvizu pas takimit me Tahirin: Jemi të shqetësuar për krimin

TIRANE-Ambasadori ende në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i shprehu dje mbështetjen amerikane ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një takim rreth 1 orë e gjysmë, të zhvilluar në selinë e PS-së, Arvizu dhe pjesëtarë të tjerë të ambasadës amerikane diskutuan me ministrin e ri në lidhje me situatën e sigurisë publike në Shqipëri. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguria publike në Shqipëri dhe lufta kundër krimit e trafiqeve ilegale mbeten prioritete që tërheqin vëmendjen maksimale. Ambasadori amerikan, Arvizu ia shprehu këtë mesazh Tahirit, ndërkohë që konfirmoi këto tema bisede edhe për median pas takimit. Arvizu tha pas këtij takimi se pritshmëritë për qeverinë e re janë të larta edhe në betejën për rend e siguri. Qeveria e re “Rama” do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve. “Ne po vazhdojmë të kemi konsultime me njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë. Natyrisht që Ministria e Brendshme është një aktor kyç. Siç e shihni, kemi një staf shumë të madh të ambasadës këtu. Ne folëm për përparësitë programatike, në përpjekje për të përforcuar sukseset që janë arritur, por gjithashtu qeveria e re ka një mandat të fortë të mbështetur masivisht nga populli”, komentoi dje ambasadori Aleksandër Arvizu, i pyetur nga media. Ai tha se: “Ka disa pritshmëri në fushën e reformave. Ne duam të jemi plotësisht mbështetës për axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Ka disa aspekte strategjike, por edhe çështje operacionale të ditës”.

MBËSHTETJA
“Natyrisht - shtoi ai, - varet nga qeveria e re, ata janë të ngarkuar, ne jemi këtu për të qenë partnerë shumë bashkëpunues. Kjo është ajo që po bëjmë, po këshillojmë”, - tha Arvizu. I pyetur sërish nga media nëse është folur për çështje specifike që lidhen me trafiqet ilegale apo me aspekte të rendit publik, të evidentuara edhe në raportet e Departamentit të Shtetit, ambasadori Arvizu u shpreh: “Kemi biseduar për disa çështje specifike, sepse natyrisht në çdo demokraci ka disa çështje që prekin qytetarët, siç janë nivelet e krimit, korrupsioni. Kemi biseduar për mënyra se si mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe ajo që është më e efektshme është parandalimi i krimit. Krimi është një çështje shumë e vështirë. Ne ndeshemi me të gjatë gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka një formulë magjike, por gjëja më e rëndësishme është që zoti Tahiri dhe qeveria e re ta kuptojnë që kjo është një çështje që shqetëson qytetarët shqiptarë, është një çështje për ne, sepse ne duam ta ndihmojmë qeverinë dhe qytetarët shqiptarë në axhendën e integrimin europian. Pra, për këtë jemi këtu, për të ndihmuar”, tha në komentet e tij për gazetarët, ambasadori amerikan.

Tashmë edhe pak kohë ka mbetur nga periudha kur qeveria e re do të marrë detyrën për të drejtuar Shqipërinë së paku në një mandat 4- vjeçar. Në 300 ditët e para, PS ka premtuar se do të vendosë rendin e sigurinë në vend, por pritet të provohet në muajt që do të vijnë ky angazhim i saj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›