E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Kaçe i japin fitoren Shqipërisë ndaj Armenisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit shënon një tjetër sukses. Shqipëria ka mundur 2-0 Armeninë në miqësore, duke konfirmuar edhe njëherë tjetër formën e mirë që po kalon ekipi ynë përfaqësues. Edhe pse me shumë lojtarë të rinj dhe me shumë ndryshime në formacion, djemtë kuqezi kanë luajtur me shpirt gare, duke dominuar totalisht ndaj armenëve. Goli i parë ka ardhur në minutën e 21-të nga Valdet Rama, mesfushori që shënoi edhe në ndeshjen kundër Norvegjisë në qershor, duke u konfirmuar një lojtar kyç për formacionin shqiptar. Ashtu siç pritej, për kombëtaren shqiptare kanë debutuar thuajse të gjithë futbollistët e afruar së fundmi, Gjasula, Gashi, Basha dhe Abrashi. Të gjithë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, por pa harruar edhe titullarët Cana, Dallku, Agolli, Lila, Mavraj, Berisha dhe shumë të tjerë. “Qershinë mbi tortë” e ka vënë Ergys Kaçe, i cili ka realizuar një supergol me një gjuajtje nga distanca, pikërisht në minutën e 67-të, në takimin e dytë me topin. Minutat e mbetura të ndeshjes jo vetëm që janë administruar shumë mirë nga ekipi ynë, por mund të kishin shënuar edhe një gol tjetër. Gjithsesi, fitorja 2-0 është një rezultat shumë i mirë, që i jep zemër kombëtares shqiptare për dy ndeshjet në fillim të shtatorit, kundër Sllovenisë dhe Islandës, të dyja ndeshja që do të luhen në transfertë për Eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit. (eduard.ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›