SHBA: Assad i izoluar, duhet të tërhiqet
Kjo deklaratë e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, John Ernest, u bë pasi Mbreti i Jordanisë, Abdullah, u bë lideri i parë nga vendet arabe, që kërkoi nga Assadi që të tërhiqet, për shkak të goditjes së përgjakshme nga forcat e tij të sigurisë kundër demonstruesve anti-qeveri.
Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 3500 persona mendohet se janë vrarë në Siri, prej fillimit të protestave anti-qeveri në muajin mars.
Por, për këtë dhunë, regjimi në Siri i ka fajësuar bandat dhe militantët.
Megjithatë, veprimtarët opozitarë thonë se afro 70 vetë raportohet se janë vrarë në Siri vetëm brenda një dite, derisa forcat e sigurisë e vazhduan goditjen e tyre ndaj protestuesve anti-qeveri.
Veprimtarët thonë se nga të vrarët, 34 ishin ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë së Sirisë, të vrarë në përleshjet me dezertorët e dyshuar ushtarakë, që i sulmuan automjetet e ushtrisë në pjesën jugore të Sirisë.
Në anën tjetër, mbështetësit e Assadit sulmuan ambasadën e Jordanisë në Damask, bëri me dije agjencia jordaneze e lajmeve, "Gerasa", që publikoi edhe foto të ngjarjes.