E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, BE, OSBE: KQZ të shpallë sa më shpejt rezultatin për Tiranën

TIRANE-“Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë” Ky është apeli që përcjellin sot 3 ambasadorët, Ettore Sequi i BE-së, Aleksandër Arvizu i SHBA-së e Eugen Wollfarth i OSBE-së, të cilët prej muajsh janë angazhuar personalisht duke ndjekur hap pas hapi gjithë procesin zgjedhor të 8 majit.

AMBASADORET TAKOJNE BERISHEN
Tre ambasadorët ndodhen në kryeministri për të zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha. Për momentin nuk bëhen të ditura detaje të këtij takimi që nisi reth orës 11:00 por ajo cka dihet është se përfaqësuesit e 3 institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë do diskutojnë për situatën pas zgjedhore dhe vonesat në nxjerrjen e rezultateve për Tiranën.

DEKLARATA E AMBASADOREVE
“Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj.Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve.“ shkruajnë ambasadorët në deklaratën e tyre të përbashkët e cila është shpërndarë nëpër redaksitë mediatike.

Kur rezultati i zgjedhjeve ka ngecur në KQZ, ambasadorët i kujtojnë këtij Institucioni se “Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi.”

"Po ashtu,-nënvizojnë ambasadorët- është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor.”

“Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik.-perfundon deklarata e perbashket e 3 ambasadorëve që vjen një ditë pas takimit që ata zhvilluan me kreun e KQZ, Arben Ristani dhe nënkryetaren e këtij institucioni Deshira Subashi.

(s.gera/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›