E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Berisha: Ky 100-vjetor, homazh për ata që themeluan vatrën e lirisë

TIRANE - Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100 -vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare "Vatra", i cili përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, bëri të ditur Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në Neë York, Vatra festoi ditën e djeshme 100-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën, Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës.

Në hapje të ceremonisë, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare "Vatra", zoti Gjon Bucaj, falenderoi kryeministrin Berisha, i cili me prezencën e tij në një ditë të shënuar për Vatrën nderoi kujtimin e themeluesve të saj dhe të të gjithë atyre që me përkushtim dhe sakrifica e mbajtën Vatrën përgjatë një shekulli në shërbim të kombit. Zoti Bucaj e cilësoi kryeministrin Berisha si një mik të madh të diasporës dhe një personalitet që ka kontribuar si askush tjetër në mbështetjen e diasporës.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të Vatrës për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. 

"Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, "Vatrën" , si vatër të lirisë së kombit shqiptar", u shpreh kryeministri. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që "Vatra" luajti në momentet më decizive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli.

Në vazhdim, kryeministri Berisha theksoi se "ne kremtojnë 100-vjetorin e Vatrës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kur vështrojmë këto 100 vite, kanë qenë vitet, në të cilat kombi ka përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha. Kanë qenë vite në të cilat kombi ka njohur pushtimet më të egra dhe diktaturat më mizore, por kanë qenë vite, në të cilat shqiptarët kanë bërë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kanë qenë vite, në të cilat në të gjitha momentet më kritike të ekzistencës së tyre, ata ia kanë dalë të fitojnë, sepse kanë pasur prapa mbështetjen e fuqishme, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha në SHBA: Diktatura në Shqipëri më e egra në Europë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›