E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Betim Kaziu dënohet me 27 vjet burg

Drejtësia amerikanë ka dënuar me 27 vjet burg, Betim Kaziun, i lindur në Nju Jork, nën akuzat se ka udhëtuar në Lindjen e Mesme në një përpjekje të dështuar për t`iu bashkuar Al Kaidës dhe të hakmerrej për abuzimin ndaj myslimanëve duke vrarë ushtarë amerikanë.

“Do të kisha dëshiruar të mos shkoja asaj rruge”, citon agjencia AP, Betim Kaziun, t`i ketë thënë gjykatësit Xhon Gleson, para shqiptimit të dënimit.

Por, gjykatësi, ka thënë se është hera e parë që dëgjon pendësën e të pandehurit dhe kjo sipas tij nuk është bindëse.

“Ti je rritur në Bruklin dhe ke vendosur që të vrasësh ushtarët e shtetit tënd. Ka ende elemente rebelimi brenda teje… ti ende je shumë krenar për t`u bërë xhihadist”, citohet të ketë thënë gjykatësi Gleson.

Prokororia ka kërkuar dënim të përjetshëm për Kaziun. Në korrik të 2011-ës, Kaziu është dënuar për konspiracion për të kryer vrasje.

Ai është shpallur fajtor edhe për konspiracion, me qëllim sigurimin e mbështetjes materiale për një organizatë terroriste.

Prokurorët thonë se Kaziu ka bërë përpjekje, por ka dështuar t`i bashkohet grupeve të Al Kaidës në Irak, Afganistan dhe Ballkan.

Ai është arrestuar nga policia në Kosovë në gusht të 2009-ës dhe është transferuar në SHBA për t`u përballur me akuzat për terrorizëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›