SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton buxhetin për 2012-ën

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2012, të cilin republikanët e përshëndetën si një plan që u kursen para taksapaguesve dhe reformon programet qeveritare për shëndetin dhe asistencë që u ofrohen amerikanëve të varfër dhe atyre të moshuar. Por demokratët, përfshirë presidentin Barak Obama, kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj këtij plani të propozuar nga republikanët, duke thenë se shkatërron programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit dhe dobëson shumë programe të tjera të ndihmës sociale. Një ditë pas miratimit të buxhetit për muajt që i mbeten vitit fiskal 2011, republikanët dhe demokratët u përplasën sërish lidhur me shpenzimet federale për vitin tjetër fiskal. Propozimi u mbështet në masë nga republikanët, por u kundërshtua prerazi nga demokratët duke përfunduar me 235 vota pro dhe 193 kundër. Shtëpia e Bardhë e kritikoi planin si një propozim që ia ngarkon barrën e borxhit atyre që e kanë më të vështirë ta përballojnë, i jep fund programit shëndetësor për të moshuarit në formën e tij aktuale, ndërkohë që dyfishon koston e kujdesit shëndetësor për këtë segment të popullatës në mënyrë që të shpërblejë “me më shumë se një trilion dollarë shkurtime taksash milionerët dhe miliarderët”, siç shprehet Shtëpia e Bardhë. Ligjvënësi republikan Pol Rajan tha se plani që kishte propozuar ofron kursime dhe i shpëton nga falimentimi programet sociale për të moshuarit dhe të varfrit, duke krijuar gjithashtu mundësi për të shlyer borxhin kombëtar. Por demokratët e analizojnë krejt ndryshe propozimin. Kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nensi Pelozi tha se demokratët kanë ofruar një plan më të mirë alternativ. Republikanët thonë se plani i tyre synon të kursejë të paktën 5 trilionë dollarë nga buxheti federal gjatë dekadës së ardhshme.
Shpenzimet federale pritet të vazhdojnë të dominojnë debatin në Uashington, ndërkohë që plani republikan nuk ka shanse të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Kongresi duhet të vendosë si do të reagojë tani ndaj faktit që borxhi kombëtar po i afrohet me shpejtësi nivelit të tij maksimal të lejueshëm.