Zanier: Ndërkombëtarët të nxjerrin mësime nga Kosova

Ndërkombëtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm të mos përsërisë në Libi gabimet e bëra gjatë ndërhyrjes në Kosovë, ka thënë shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve.
“Ka mësime që bashkësia ndërkombëtare duhet të nxjerrë dhe një prej tyre është se kur merren nisma të kësaj natyre, siç janë ndërhyrjet ushtarake, është e nevojshme të kemi dhe një strategji për të dalë”, tha Zanier.
Në Kosovë, ka theksuar shefi i UNMIK-ut, nuk ka pasur strategji të qartë, ndërsa vendimi për statusin, pas ndërhyrjes ushtarake “në vazhdimësi është shtyrë bazuar në idenë shohim e bëjmë”. “Edhe sot jemi ende duke pritur”, ka thënë Zanier.
“Kosovarët menduan se bashkësia ndërkombëtare, në një mënyrë apo në një tjetër, do të pranonte faktet në terren, por kemi parë rezultate të tjera” theksoi më tej Zanier.
Zanieri theksoi se pas ndërhyrjes ushtarake një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë.
“Me shpalljen e pavarësisë Kosova nisi rrugën e saj, por nuk ka mundur ende të shkojë deri në fund. Aktualisht është e bllokuar në mes të rrugës”, thotë shefi i UNMIK-ut.
I pyetur për raportin e Dik Martit mbi trafikimin e organeve dhe keqtrajtimin e të burgosurve gjatë luftës në Kosovë, Zanieri pohoi se “gjëra që nuk janë të shkruara” në raport, por që janë të njohura për autorin, senatorin zviceran Dik Marti, “mund të përcaktojnë zhvillimin e ngjarjeve” duke çuar në rihapjen e çështjes.
Lamberto Zanier, i cili aktualisht drejton misionin e OKB-së në Kosovë është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e OSBE-së.