E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Do përgjigjemi nëse Irani bllokon Hormuzin

“Kemi qenë shumë të qartë lidhur me faktin se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tolerojnë mbylljen e ngushticës së Hormuzit. Kjo përbën një limit tjetër për ne dhe nuk do t’i kthehemi kësaj teme”, deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes gjatë emisionit “Face the Nation” në televizionin CBS.

Tensioni është rritur mes Teheranit dhe Uashingtonit të martën, pas paralajmërimeve të Iranit kundër pranisë së marinës amerikane në Gjirin Persik, duke krijuar shqetësime lidhur me mbylljen e mundshme të ngushticës nga e cila kalon 35 për qind e naftës bruto që transportohet me rrugë detare në botë.

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, Uashingtoni premtoi t’i mbajë anijet e veta të dislokuara në Gjirin Persik, pasi Shtëpia e Bardhë vlerësoi se paralajmërimet e Iranit tregojnë “dobësinë” e tij dhe efektshmërinë e sanksioneve kundër programit bërthamor të Teheranit.

Oficeri më i lartë amerikan, gjenerali Martin Dempsei, u shpreh sot se Irani mendohet të jetë në gjendje të bllokojë ngushticën, një veprim, që, sipas tij, është i patolerueshëm. “Ata kanë investuar në mjete me të cilat mund ta bllokojnë për një farë kohe ngushticën. Ne kemi investuar në mjete për t’u siguruar që nëse ndodh kështu, ta rihapim”, bëri të ditur ai për CBS-në përkrah kreut të Pentagonit, Paneta. “Do të veprojmë dhe do ta rihapim ngushticën në rast mbylljeje”, paralajmëroi gjenerali Dempsei.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-01-08 17:34
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›