SHBA: Goditet rrjeti i drogës, drejtuar nga shqiptarët

Një gjykatë federale e Brooklynit në New York ngriti akuza kundër 37 pjesëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të një rrjeti ndërkombëtar të drogës, që sipas departamentit amerikan të Drejtësisë, drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë.
Sipas autoriteteve amerikane, shumica e të pandehurve u arrestuan sot në New York, New Jersey, Colorado dhe Florida. Agjentët federalë bënë sot plaçkitje në shtatë banesa të kontrolluara nga ky rrjet trafikimi, duke kapur 18 armë zjarri dhe qindra fishekë.
Dy të pandehur u arrestuan muajin e kaluar pas një shkëmbimi zjarri që lidhej me drogën, ndërsa disa të tjerë janë tashmë në burg për krime të mëparshme. Njëri nga drejtuesit e rrjetit të dyshuar u arrestua në Shqipëri dhe SHBA-ja ka kërkuar ekstradimin e tij.
Personat e arrestuar dolën sot para një gjykatësi për t`iu komunikuar akuzat. Sipas aktakuzës, rrjeti përfshin disa familje shqiptare të lidhura me qindra punëtorë dhe klientë në tre kontinente.
Ky rrjet, i cili vepronte prej më shumë se një dekade, thuhet në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë, mendohet se është përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marihuanë nga Kanadaja dhe Meksika, sasi të konsiderueshme të MDMA-së nga Holanda e Kanadaja, qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja, si dhe sasi të mëdha pilulash, si oksikodonë.
Droga shpërndahej në disa shtete federale amerikane, si dhe në Kanada e Evropë. Sipas aktakuzës dhe materialeve të tjera gjyqësore të paraqitura nga qeveria, hetimi katër-vjeçar zbuloi se shumica e grogës kontrabandohej nga Kanadaja dhe Meksika. Dërgesat e drogës ruheshin në magazina dhe vende të tjera në lagjet Brooklyn, Kwins dhe Bronx të New Yorkut para shpërndarjes.
Sasi të ndryshme kokaine merreshin nga burime në Shtetet e Bashkuara dhe eksportoheshin në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës, të fshehura brenda automjeteve luksoze, nën kujdesin e shitësve jo të ligjshëm të këtyre veturave, por që kontrolloheshin nga pjesëtarët e rrjetit.
Në kohën e arrestimeve të sotme, rrjeti dyshohet se ishte përfshirë në negociata për të marrë qindra kilogramë kokainë nga burime në Amerikën e Jugut për transportim nëpër SHBA për në Kanada dhe në Evropë.
Hetimi i qeverisë zbuloi më tej se rrjeti shfrytëzonte shërbimet e një organizate kanadeze për pastrimin e parave me qendër në Kanada, e cila akuzohet si përgjegjëse për pastrimin e më shumë se 15 milionë dollarëve të ardhura nga narkotikët në një vit të vetëm.
Nëse shpallen fajtorë, tre krerët e dyshuar të rrjetit, Xhavit Thaqi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha, ata përballen minimumi me një dënim të detyrueshëm prej 25 vjetësh burg e deri te dënimi maksimal, burg i përjetshëm.