SHBA: Greva e urisë, e dëmshme për integrimin
12/05/2010 Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Uashington, zhvilloi dje një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit evropian. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin evropian të vendit. “Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt, përveç se vetë shqiptarëve.” Janush Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur parlamenti nuk arrin të funksionojë. “Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme, dhe t’i tregojë Bashkimit Evropian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë.”