SHBA, Helsinki: Partitë të mos ndërhyjnë në proces
Komisioni i Helsinkit në Kongresin Amerikan zhvilloi dje një seancë informimi mbi zgjedhjet lokale dhe mungesën e stabilitetit politik në Shqipëri. Të ftuar për të dhënë mendimin e tyre mbi këtë çështje ishin Jonathan Stonestreet, kreu i misionit të vëzhguesve për zgjedhjet i OSBE ODIHR-it, Robert Benjamin nga Instituti Demokratik Ndërkombëtar dhe Janush Bugajski nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare. Shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Jonathan Stonestreet, komentoi në seancë mbi procesin zgjedhor në Shqipëri. Megjithëse zgjedhjet sollën disa dukuri pozitive, tha ai, dy partitë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk i kryen me përgjegjësi detyrat e tyre përsa u përket zgjedhjeve dhe kjo ndikoi negativisht në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke minuar besimin e publikut. “Kjo u pa në faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përdor si një fushë beteje politike mes partive, në emërimin e vonuar të komisionerëve si dhe në akuzat publike të papërgjegjshme që vunë në pikëpyetje integritetin e komisionerëve në të gjitha nivelet. Këtu e kam fjalën për të dyja partitë, sepse kur u takova me to, secila prej tyre ishte e prirur të thoshte se këto vërejtje kishin të bënin vetëm me partinë kundërshtare. Përsa i përket KQZ-së, ato vendimet për çështje të cilat kontestoheshin nga partitë politike, në KQZ merreshin në linja politike dhe jo në mënyrë kolegjiale”, tha Stonestreet Pra, vijoi ai, kur mes dy partive politike kryesore nuk kishte mosmarrëveshje, ato silleshin si një organ kolegjial, por sapo mes partive shfaqeshin pikëpamje të kundërta, këto pasqyroheshin brenda në KQZ. Kryevëzhguesi konstaton se këto lloj qëndrimesh partiake nuk ndihmuan për të rritur besimin tek KQZ-ja. “Megjithatë, ky polarizim i madh i KQZ-së jo dosmosdo u shtri edhe në komisionet e rangjeve më të ulëta. Rezultati tepër i ngushtë i zgjedhjeve do ta vinte në provë çdo administratë zgjedhjesh, edhe ato më të fortat. Por në Shqipëri, administrata zgjedhore nuk është ndër më të fortat, prandaj edhe trysnia në këtë rast është akoma më e madhe. Përsa i përket vendimit për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, KQZ ja ndërmori një veprim me implikime mjaft të gjera mbi një bazë jo kolegjiale, pa i shpjeguar këto veprime qysh më parë”, u shpreh Stonestreet. Ai tha se nuk mund të komentojë lidhur me këtë vendim, sepse ai do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor. Robert Benjamin i Institutit Demokratik Kombëtar, me qendër në Uashington, tha se është e nevojshme që dy partitë politike kryesore duhet të bëjnë një hap prapa, të mos ndërhyjnë në proces. Gjithashtu, tha ai, dy kandidatët për Tiranën duhet t’u shmangen deklaratave triumfaliste. Ai përmendi zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në Shtetet e Bashkuara, ku rezultati ishte tepër i ngushtë, dhe tha se situata u zgjidh pa probleme, pasi zyrtarët treguan mjaft transparencë dhe maturi në veprimet e tyre. Asnjë zgjedhje në botë nuk është e përsosur, tha zoti Benjamin, por kryesorja është që qytetarët të kenë besim te procesi. Janush Bugaski, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se një polarizim i tillë i madh mund të çojë në konflikte civile dhe shton rrezikun e rënies ekonomike. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë instrumente të drejtpërdrejta për të ndihmuar Shqipërinë dhe duke patur parasysh reputacionin që ato kanë në Shqipëri, mund të luajnë rol më të madh për ta ndihmuar vendin të përmirësojë zhvillimin e zgjedhjeve në të ardhmen.