E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si e qëllova grabitësin dhe më pas e dërgova në spitali”

KRUJË- Një 32-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë me armë zjarri, i cili së bashku me dy persona të tjerë kanë tentuar të vjedhin një familje në Thumanë të Krujës. Sipas familjarëve, të cilët kanë tentuar të vidhen, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas tyre, tre persona kanë ndaluar në autostradën Fushë Krujë-Milot, rreth 100 metra larg banesës së tyre, një makinë të cilën e kishin vjedhur në Kavajë dhe i janë drejtuar një familjeje që ndodhet në afërsi të autostradës, për ta grabitur. Por pas tentativës, i zoti i shtëpisë, Sejfulla Fresku, ka qëlluar mbi njërin prej grabitësve, Sokol Pali, ndërsa mësohet se familjarët e Përparim dhe Shkëlzen Fresku, vazhdojnë që qëndrojnë të shoqëruar në polic.

Dëshmia

Sipas të zotit të shtëpisë, Sejfulla Freskut “ka qenë ora 02:00 e natës, kur një i afërm i imi, që është me banim afër shtëpisë sime, më merr në telefon, duke më thonë se ke njerëz në oborrin shtëpisë dhe po të hapin derën, kujdes se po i shikoj nga dritarja. Mora armën e hapa derën menjëherë, i pyeta kush jeni, ata më kërcënuar që të mos dilja jashtë se do më vrisnin e unë më pas kam qëlluar menjëherë për t’i trembur. Qëllova mbi ta nga frika se kishin armë. Njëri mbeti i plagosur, e mora dhe i shërbeva që të mos vdiste, por vura re që kishte pasur levë hekuri. Më tha se kishte ardhur për të grabitur sëbashku me një laçian dhe një tjetër. I thashë fol me laçianin, të të marrë e më thuaj se kush është dhe tjetri që të mos e zgjasnim për ta dërguar në polici. Lajmërova policinë dhe të plagosurin e dërgova në Spitalin Ushtarak. Policia me të ardhur nisi hetimet, por më mori të gjithë njerëzit në polici”.

Frika

Bashkëshortja e Sejfulla Freskut shprehet se e “ndjen veten të frikësuar, pasi kjo është hera e tretë që shtëpia e saj është vënë në shënjestër të grabitësve. Nuk po na lënë në shtëpinë tonë, po na vjedhin gjithçka kemi sajuar me mund e djersë. Shteti, në vend që të kapë hajdutët, na arreston fëmijët. Jemi të shqetësuar se kemi gjithë natën që kemi përjetuar një tmerr të vërtetë. Por në fund të fundit, kemi mbrojtur djersën tonë, nderin tonë, ku e dinim ne se nuk janë të armatosur”. Pronari i shtëpisë, Sejfulla Fresku, ka arritur të qëllojë me armë zjarri njërin nga hajdutët, duke e lënë të plagosur në vend, ndërsa dy të tjerët kanë mundur të largohen. Gjatë marrjes në pyetje, i plagosuri Sokol Pali, 32-vjeç, ka treguar se si kanë vjedhur makinën në Kavajë e më pas sëbashku me një laçian dhe një tjetër person, ende i paidentifikuar, kanë vajtur për të grabitur edhe familjen e Sejfulla Freskut. Policia e Krujës ka shoqëruar në polici të gjithë familjarët e familjes Fresku, ndërsa kanë sekuestruar edhe armën e krimit, e cila ishte pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›