Sequi: 8 Maji të përmbyllet në përputhje me ligjin
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, deklaroi sot se pret që vendimi i Kolegjit Zgjedhor t’i japë fund garës elektorale për zgjedhjet vendore. Sequi konstatoi se zgjedhjet administrative të 8 Majit mbeten një nga sfidat më të rëndësishme të pjekurisë politike dhe demokratike të Shqipërisë para Bashkimit Europian. Diplomati europian nënvizoi se procesi zgjedhor duhet të përmbyllet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. “Në mënyrë të përsëritur Bashkimi Europian ka theksuar rëndësinë e procesit në tërësi. Ky proces nuk është përmbyllur për momentin. Po presim që ai të kryhet në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ky proces është një çështje e rëndësishme, pasi në bazë të tij Bashkimi Europian do të bëjë vlerësimin e pjekurisë politike dhe demokratike të vendit”, tha ambasadori Sequi. Këto komente ambasadori i Bashkimit Europian i bëri gjatë një aktiviteti me rastin e festës së 1 Qershorit. Komisioni Europian do të publikojë në muajin tetor progres raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke analizuar edhe treguesit e demokracisë në secilin prej tyre. Në nëntorin e vitit të kaluar Shqipëria mori një përgjigje negative ndaj aplikimit për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Por gjithsesi Brukseli la një dritë në fund të tunelit për Shqipërinë, teksa i rreshtoi 12 kërkesa që klasa politike t’i plotësonte deri në raportin e vitit pasardhës. Konkretisht, Brukseli kërkoi të garantohet funksionimi i Parlamentit mbi bazat e një dialogu konstruktiv mes të gjitha partive politike dhe miratimi i ligjeve që kërkon shumicën e cilësuar në Parlament. Një tjetër kërkesë është zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe garantimi i një procesi të rregullt dëgjimi dhe votimi në Parlament, sa i takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. BE sugjeroi përmirësimin e legjislacionit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe garantimin e një procesi në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Klasa politike shqiptare duhet të realizonte edhe hapat thelbësorë në reformën e administratës publike, përfshirë amendamente për shërbimin civil dhe forcimin e DAP-it, me synim rritjen e profesionalizmit, depolitizimin, transparencën dhe emërimin mbi bazën e meritave. Një tjetër kriter i rëndësishëm ishte forcimi i shtetit ligjor përmes adoptimit dhe implementimit të një reforme strategjike në drejtësi, duke garantuar pavarësinë, eficencën dhe përgjegjësinë e institucioneve të drejtësisë. BE kërkoi implementimin nga qeveria në mënyrë efektive të strategjisë anti-korrupsion, duke hequr pengesat ndaj hetimeve, në veçanti ndaj gjyqtarëve, ministrave dhe pjesëtarëve të Parlamentit. Të dëshmohen arritje të forta në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të të gjitha niveleve. Forcimi i luftës ndaj krimit të organizuar, bazuar në një proces të imtësishëm hetimor që rrit bashkëpunimin rajonal apo me partnerët e BE-së dhe njësitë ligjzbatuese, është një tjetër objektiv i kërkuar. Në opinionin e publikuar nëntorin e vitit 2010 thuhet se duhet përgatitur, miratuar dhe implementuar një strategji kombëtare dhe plan veprimi në lidhje me të drejtat e pronës, duke u konsultuar me grupet e interesit dhe duke marrë në konsideratë vendimin e gjykatës ndërkombëtare. Kjo strategji duhet të mbulojë proceset e kthimit, kompensimit dhe legalizimit. D.M.