SHBA, James Clapper, shefi i ri i inteligjencës
Presidenti amerikan, Barack Obama, emëroi gjeneralin në pension, James Clapper, një zyrtar i lartë të Pentagonit si kreun e ri të shërbimeve të inteligjencës. Ashtu siç dihet, Clapper do të zëvendësojë Adm Dennis Blair, që dha dorëheqjen pas dështimeve të konstatuara në sistemin e sigurisë në vend. Shefi i ri i inteligjencës do të mbikëqyrë 16 agjenci inteligjence. Obama tha se senati amerikan do të konfirmojë shumë shpejt emërimin e James Clapperit në këtë detyrë. Nga ana tjetër, republikanët janë shprehur kundër këtij nominimi dhe të gatshëm për të bllokuar kalimin e tij në kongres. “Nuk mendoj se Clapper është personi i duhur për këtë punë”, tha senatori republikan, Kit Bond, për agjencinë e lajmeve “Associated Press”. Clapper, një gjeneral me tre yje, që u tërhoq nga “Air Force” në vitin 2005 ka shërbyer si kreu i “National Geospatial-Intelligence Agency” nga shtatori i 2001-it në qershor të 2006-s. Ai është një veteran i luftës së Vietnamit dhe ish-kreu i “Defense Intelligence Agency”. Clapper ka pasur marrëdhënie të ngushta gjatë karrierës së tij të gjatë dhe mbi të gjitha është shumë i lidhur me drejtuesit “Central Intelligence Agency”(CIA), siç raporton media amerikane. Nëse emërimi i tij konfirmohet, ai do të jetë personi i katërt që shërben në këtë post që kur ky vend u krijua 5 vjet me parë me propozimin të komisionit të ngritur për sulmet e 11 shtatorit.
#