Privatizimet, kroatët ia marrin dorën, fitojnë edhe Albtelekomin
Pas suksesit me shitjen e aksioneve të mbetura tek AMC, për rreth 45 milionë dollarë, qeveria lidh një tjetër kontratë me kroatët, kompania që bëri të mundur procesin. Tenderi për gjetjen e konsulentit për privatizimin e 24 për qind të aksioneve të “Albtelekom” duket se ka rezultuar me sukses, pas më shumë se një vit dështimesh radhazi. Do të jenë koncerciumi “Zagrebacka Banka d.d, UniCredit Markets & Investment Banking”, konsulentët e qeverisë për shitjen e aksioneve të mbetura në shoqërinë gjigante të fiksit në Shqipëri. Aktualisht 76 për qind e aksioneve zotërohet nga turqit e “çalik Holding”, që i blenë në 2005-n, për rreth 120 milionë dollarë.
Privatizimet do të jenë një tjetër sfidë e qeverisë për këtë vit krize, duke u përpjekur të rrisin sadopak të ardhurat në buxhetin e shtetit. Aktualisht, në proces privatizimi është edhe shoqëria e vetme e prodhimit të naftës, “Albpetrol”, si dhe INSIG, së bashku me disa asete të mbetura në kompani të tjera.
Për tenderin e konsultimit, zhvilluar më 15 mars 2010, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të paguajë rreth 130 mijë dollarë, nga 250 mijë dollarë që ishte fondi limit, që do të thotë se kroatët me partnerët e tyre kanë ofruar gjysmën e çmimit në tender.
Privatizimi i pjesës së mbetur të “Albtelekom” ka nisur dy vjet më parë, por tenderi dështonte për arsye teknike procedurale. Një tjetër problem për qeverinë është ndarja e aseteve me ish-pronarët dhe punonjëset e kompanisë, të cilët sipas ligjit zotërojnë aksione dhe se duhet t’i likuidojnë me bono privatizimi.
Qeveria parashikon të krijojë rreth 200 milionë dollarë të ardhura nga shitja e pasurisë shtetërore që zotërohet nga disa institucione. Fushata u iniciua pak kohë më parë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dhe u pasua më pas nga ai i Mbrojtjes.
#