SHBA: Kompromisi varet nga Irani
Administrata Obama ka thënë se zgjedhja e klerikut të moderuar si president i Iranit nuk do të ndikojë te Uashingtoni që ti ofrojë Teheranit një marrëveshje të re bërthamore.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, u ka thënë gazetarëve se Uashingtoni është i hapur për bisedime me Iranin, por do që Republika Islamike ti përgjigjet së pari një oferte për lehtësimin e sanksioneve, të bërë në muajin prill.
Presidenti i zgjedhur i Iranit, Hasan Rohani, ka rritur shpresat për fleksibilitet më të madh.
Por, Psaki ka theksuar se të gjitha çështjet rreth programit bërthamor të Iranit vendosen nga udhëheqësi suprem, Ali Khamenei.
Komentet e Psakit janë bërë pasi Rohani ka premtuar më shumë transparencë në programin bërthamor, me shpresë për lehtësimin e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.
Rohani ka thënë se është e rëndësishme për Iranin që të përmirësojë marrëdhëniet me shtetet e tjera, sidomos fqinjët.