E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Kujdes me çështjet e rëndësishme

Ambasadori amerikan pranë OSBE-së në Vjenë, Ian Kelly, përveç se deklaron se Shqipëria ka bërë shumë suksese vitet e fundit, kërkon që fushata e ardhshme elektorale që nis vitin e ardhshëm të jetë konstruktive.

“Jemi të shqetësuar se mos njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Lufta politike që u bë vitin e kaluar për fat të keq zbehu pikëpamjen e botës për Shqipërisë dhe shërbeu të lihej në hije përparimi i madh që ka bërë vendi në 20 vitet e kaluara. Drejtuesit politikë të Shqipërisë duhet të kenë në mendje interesat më të mira të vendit gjatë fushatës zgjedhore që po troket, në mënyrë që të sigurojnë që përparimi i reformave të mos lihet mënjanë për 12 muajt e ardhshëm”, thuhet në reagimin e diplomatit amerikan.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të kihet kujdes me zgjedhjen e kryetarit të ri Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Afirmimi i mekanizmave të demokracisë kërkon akoma shumë punë përtej zgjedhjes së një presidenti të ri. Për këtë qëllim, shprehim përgëzimet tona për miratimin e reformave të kodit zgjedhor, dhe në veçanti për ekspertët dhe bashkëdrejtuesit nga dy partitë kryesore, të cilët punuan fort në këto përpjekje. Megjithatë, paralajmërojmë se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”, thekson ambasadori amerikan. /Start/

                                                                                             2012-09-21 14:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›